Rritje e numrit të vizitorëve në Muzeun Etnografik të Elbasanit

7 Shtator, 2025 - 4:45 pm

Muzeu Etnografik në Elbasan, i shpallur Monument Kulture kategoria e I, po tërheq vizitorë vendas e të huaj, duke u ofruar një përvojë autentike në rrënjët e historisë, kulturës dhe jetesës tradicionale të qytetit.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja përcolli sot një video nga ambientet e brendshme të këtij muzeu, i mbushur plot me turistë të pasionuar pas historisë dhe kulturës shqiptare.

Llatja shprehet se “vazhdon të rritet numri i vizitorëve vendas e të huaj në Muzeun Etnografik të Elbasanit , i cili mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore”.

I njohur ndryshe dhe si “Shtëpia e Sejdinasve”, në këtë ndërtesë dykatëshe të shekullit të 18-të prezantohet kultura, folklori dhe stili i jetesës së qytetit.

Në këtë muze ekspozohen rreth 80 zeje tradicionale, duke pasqyruar mjeshtërinë, stilin e jetës dhe zhvillimin ekonomik të qytetit ndër shekuj. Muzeu mbart në çdo kënd frymën e një qyteti të lashtë që di të ruajë dhe vlerësojë trashëgiminë.

Muzeu Etnografik qëndron i hapur çdo ditë të javës dhe mirëpret vizitorë nga vendi dhe jashtë, që duan të njihen më nga afër me jetën e të parëve tanë, veshjet, traditat, artizanatin dhe gjithë pasurinë shpirtërore të këtij qyteti./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme