Rruga në Tiranë merr emrin e aktores Antoneta Papapavli, Veliaj: Frymëzim për fëmijërinë tonë dhe brezat

8 Mars, 2021 - 10:25 pm

Një rrugë në kryeqytetin shqiptar do të mbajë emrin e aktores së njohur Antoneta Papapavli, e cila kujtohet për karakteret e spikatura plot temperament në kinemanë shqiptare.

Tabela me emrin e saj iu dorëzua simbolikisht nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, djalit të aktores, Albencit. Kryebashkiaku theksoi se Antoneta Papapavli është frymëzim për breza të tërë, që janë rritur me art të mirëfilltë.

“Jam shumë i lumtur sot që, në 8 Mars, kujtojmë Antoneta Papapavlin, një aktore simbol të fëmijërisë tonë. Ishte privilegj që në ato kohë të vështira kemi pasur aktorë klasi. Është një përpjekje e Bashkisë së Tiranës për të nderuar njerëzit dinjitozë të qytetit. Nëna juaj ka qenë një grua dinjitoze, ka frymëzuar jo vetëm fëmijërinë tonë, por breza të tërë, që janë rritur me art të mirëfilltë, me aktrim të mirëfilltë në film e në Teatrin Kombëtar”, theksoi Veliaj.

Rruga që nga sot do të quhet “Antoneta Papapavli” kryqëzohet me rrugën “Agim Qirjaqi”, një tjetër personalitet i artit.

Në emër të familjes, djali i aktores i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim në një ditë të veçantë si 8 Marsi. “Ndjeva një kënaqësi sepse ka kaluar kohë e gjatë që mamaja nuk është më dhe ky vlerësim për mua është një “ringjallje” e vogël. Edhe kjo ditë e shënuar, dita e 8 Marsit, ma solli mamanë ashtu siç ishte gjithmonë”, u shpreh i emocionuar ai.

Antoneta Papapavli ka interpretuar mbi 50 role në Teatër, si dhe shumë role në kinematografi. Për aktivitetin e saj artistik është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”./tch/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme