“Rrugët natën nuk janë veç për burra”, protestohet në Deçan kundër dhunës seksuale

29 Maj, 2021 - 4:25 pm

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar sot rrugëve të qytetit të Deçanit për të kundërshtuar dhunën seksuale ndaj vajzave dhe grave, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në Facebook nga ky kolektiv theksohet se përmes thirrjeve të ndryshme qytetarët kanë denoncuar patriarkalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

‘Rrugët natën nuk janë veç për burra’, ‘Mos ngacmo o tigër!’, ‘Donjeta ishte rrugës për në punë’, ‘Du me msu, jo m’u gacmu’, ‘Ngacmuesit seksual janë kriminel’, ishin vetëm disa nga thirrje të cilat u përdorën në këtë protestë.

Më poshtë gjeni njoftimin e tyre të plotë:

Sot, protestuam rrugëve të qytetit të Deçanit në kundërshtim të dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Përmes thirrjeve të ndryshme, aktivste e aktivistë, nxënëse e nxënës. studente e studentë. qytetare e qytetarë denoncuan partriakalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

Përderisa vajzat e gratë ndihen të pasigurta dhe vazhdojnë të dhunohen nga të gjitha institucionet, qofshin ato publike e private, nuk mund të ketë paqe e drejtësi shoqërore. Andaj dhe rezistenca jonë e përbashkët do të vazhdojë, deri në arritjen e drejtësisë për të gjitha vajzat e gratë e sigurimin e ambienteve të sigurta për to./ KultPlus.com

Të ngjajshme