займ на карту онлайн потребительский кредит

Rushiti: Është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale

17 Shkurt, 2020 - 10:39 am

Çdo 17 shkurt monumenti ‘NEWBORN’ tradicionalisht ia përçon një mesazh gjithë botës nga Kosova në Ditën e Pavarësisë së saj, duke e ndryshuar dukjen, e ndonjëherë edhe formën, shkruan KultPlus.

Natyra e mesazhit të përçuar duhet ta përfshijë medoemos Kosovën si pjesë të pandashme të rruzullit, duke prekur çështje që shqetësojnë si vendin tonë, ashtu edhe botën që bashkëndajmë.

Deri më tash ‘NEWBORN’ ka shprehur vizualisht mirënjohje botës për ndihmën e dhënë ndaj Kosovës për ta kapërcyer shtypjen, ka nxitur lirinë e shprehjes, ka bërë thirrje kundër izolimit dhe ndërtimit të mureve në vend të urave, si dhe e ka ngritur vetëdijesimin për çështje mjedisore dhe për ngrohjen globale.

Sivjet ‘NEWBORN’ synon ta prekë një çështje fort të ndjeshme dhe shpesh të lënë mbas dore: viktimat e përdhunimit gjatë konfliktit dhe gjithë mundin e tyre për t’i kapërcyer vuajtjen dhe poshtërimin e përjetuar.

Nuk ka pothuajse asnjë komb a shtet, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, që të mos jetë përballë me këtë çështje të paktën një herë. Sot që konfliktet përndizen nëpër vende të ndryshme, viktimat e tyre kryesisht femra vazhdimisht përdhunohen, ose pas konfliktit i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri.

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës së Luftës, Feride Rushiti  ka realizuar sot një fotografi TEK monumenti NEWBORN i cili këtë vit ju dedikohet viktimave të abuzimit seksual.

Në publikimin e kësaj fotografia, Rushiti ka përçuar edhe një mesazh. Ajo kërkon që ky të jetë momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karshi kësaj kategorie shoqërore.



KultPlus ju sjell postimin e plotë të Feride Rushitit:

#NEWBORN2020 – Lindja e një të ardhme për të mbijetuarat e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.
Sot, 12 vjet më parë u jetësua ëndrra e kamotshme e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur. Ky rrugëtim shumëshekullor, përveçse i mundimshëm ishte po aq i dhimbshëm. Shumë vuajtje e sakrifica na shoqëruan përgjatë çlirimit. Monumenti #NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit te #Kosovës, e që njëherësh është edhe lindje e shpresës për një jetë të re, këtë vit i dedikohet një kategorie të veçantë shoqërore –
#tëMbijetuarvetëDhunësSeksuale nga koha e luftës. Përfundimi i luftës në Kosovë dhe shpallja e Pavarësisë, thuajse vetëm për këtë kategori të ndjeshme shoqërore nuk shënoi fillimin e një jete të re, në fakt përfundimi i luftës për to/ta solli fillimin e një vuajtje të re, asaj të nëpërkëmbjes , përbuzjes e fajësimit për diçka që më së paku do të mund të fajësoheshin.
Është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karshi kësaj kategorie shoqërore.
Kësisoj, NEËBORN tërësisht ju dedikohet #viktimave – të mbijetuara të dhunës seksuale të luftës!
#BëhuZëriIM
#BeMyVoice
Vasfije Krasniqi Goodman
Shyrete Tahiri Sulimani
KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims
QPDG – Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave
Medica Gjakova
Medica Kosova
Rally For Her Justice
#justiceforall.”

Vizualisht, këtë vit ‘NEWBORN’ është ngjyrosur kryesisht në të zezë, duke përfaqësuar shkatërrimin dhe zbrazëtinë që lë mbrapa secila luftë. Germa “Ë” është mbuluar me elemente shprese e lirie në forma të ndryshme lulesh, zogjsh e fluturash, që përfaqësojnë karakterin e brishtë, por megjithatë të rimëkëmbshëm të të gjitha viktimave që mbijetojnë dhe i jetësojnë përpjekjet së bashku, ndërsa format depërtojnë përtej W-së (War [Lufta], Women [Gratë], World [Bota]).

Shpërthimi i pozitivitetit dhe i shpresës shtrihet te germat e afërta E dhe B, duke u përhapur edhe nëpër germat e tjera për ta përfaqësuar të vërtetën e ngadaltë, por të pashmangshme se e mira do të ngadhënjejë.

Secila prej germave të zeza përmban edhe rrëfime të shkurta prekëse ose fjali të mbledhura nga viktima anembanë botës, në shqip e anglisht. Këto copëza janë botuar më parë, duke përshkruar përjetime të tmerrshme dhe kujtime të hidhëta. / KultPlus.com

Të ngjajshme