25 Qershor, 2025 - 5:45 pm
Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë të mbajtur për media në kuadër të Samitit të NATO-s në Hagë, ka përmendur edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, konkretisht Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
I pyetur nga një gazetar për mos përmendjen e Ballkanit Perëndimor në deklaratën e Samitit, Rutte ka thënë se NATO vazhdon të jetë e fokusuar në rajon përmes trupave të saj në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Rutte ka thënë se KFOR-i vazhdon të jetë në Kosovë dhe EUFOR-i në Bosnje e Hercegovinë.
“E kam vizituar rajonin, kam pasur bisedime me liderët në Bosnje dhe Kosovën. Jemi shumë të involvuar si NATO, si BE gjithashtu është shumë e involvuar. Koordinohemi ngushtë me Kaja Kallas dhe Ursula Von Der Leyen”, ka thënë Rutte.
“Ne vazhdojmë të jemi aty, asgjë s’ka ndryshuar”, ka shtuar tutje Sekretari i NATO-s./Express/ KultPlus.com