“Sa 150 bomba atomike”, tërmetet në Turqi, autoritetet: Më shumë se 3400 viktima

6 Shkurt, 2023 - 11:45 pm

Rëndohet çdo orë e më shumë bilanci tragjik i tërmeteve që kanë goditur ditën e sotme pjesën juglindore të Turqisë dhe Sirinë.

Sipas të dhënave të fundit, të shpërndara nga Autoriteti turk për Menaxhimin e Emergjencave dhe Katastrofave Natyrore, janë më shumë se 2300 viktimat vetëm në Turqi, si dhe 13200 të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. Në qoftë se viktimave turke i shtohen edhe 656 të vdekurit e deritanishëm në Siri, numri total por ende i përkohshëm shkon në më shumë se 3400.

Ndërkohë, presidenti turk Erdogan, i cili ka marrë solidaritetin e të gjithë liderëve botërorë, ka shpallur 7 ditë zije kombëtare.  

Pamje apokaliptike zgjuan botën këtë të hënë, kur lëkundje të dhunshme të tokës tronditën Turqinë dhe Sirinë, teksa banorët ishin në gjumë.

Një tërmet me magnitudë 7.8 u regjistrua në 4 e 17 në jug të Turqisë jo shumë larg kufirit me Sirinë, më epiqendër në Gaziantep.

Një tjetër lëkundje e fortë 7.5 Rihter, në 13 e 24 minuta, u regjistrua pranë qytetit të Kahramanmaras. Sipas studiuesve turq, fuqia e shpërndarë nga lëkundjet e fundit ka qenë e barabartë me 150 bomba atomike.

Deri më tani nuk ka asnjë shqiptar që mund të jetë prekur nga tërmetet e fuqishme në Turqi.

Në anën tjetër, OBSH ka paralajmëruar se këto shifra ka të ngjarë të rriten deri në tetë herë, pasi shpëtimtarët gjejnë më shumë viktima në rrënoja.

“Gjithmonë shohim të njëjtën gjë me tërmetet, për fat të keq, që është se raportet fillestare të numrit të njerëzve që kanë vdekur ose që janë plagosur do të rriten mjaft ndjeshëm në javën në vijim”, tha zyrtarja e lartë e urgjencës së OBSH-së për Evropën, Catherine Smallwood./ KultPlus.com

Të ngjajshme