Sa herë vjen tetori

14 Tetor, 2023 - 8:40 pm

Imer Mushkolaj

Sa herë vjen tetori iu marr lakmi studentëve të rinj. Kthej kohën mbrapa, kur erdha të studioj në Prishtinë.

Sa herë vjen tetori sjell ndërmend sakrificën e familjes për të më mundësuar të vazhdoj shkollimin. Kujtoj nanën që shtrëngonte duart thatë teksa më përcillte, gjyshen teksa më lëshonte në dorë pak kursime t’faluna e t’ruajtuna me kujdes, babën që m’i jepte njëqind marka t’marruna borxh, sa për ta paguar semestrin dhe një muaj jetesë në kryeqytet.

Sa herë vjen tetori përmallohem, përderisa kujtoj braktisjen e një fakulteti, shkaku që nuk mund t’i përballoja financiarisht mjetet e nevojshme për studime.

Sa herë vjen tetori më vijnë ndërmend baba, gjyshja e nana që nuk jetojnë ma, e të cilët jetuan një jetë të vështirë, por plot dinjitet.

M’kujtohet dashnia e pamasë që ma dhanë, e unë ndihem borxhli ndaj tyre. Borxhli e i përulur përjetësisht.

Sa herë vjen tetori. /KultPlus.com

Të ngjajshme