7 Mars, 2025 - 8:32 pm
Labinot Kunushevci
Lajm ogurzi: idiotët kanë kolonizuar mediat sociale, idiotët nuk po njohin kufij, idiotët po minojnë terrene, idiotët po shënjestrojnë pengje sociale.
Gjendje e jashtëzakonshme.
Ju lutem, mos debatoni me idiotët që nuk lexojnë libra, kur burim të vetëm të informacionit kanë rrjetet sociale. Ata konsumojnë me qindra imazhe dhe informacione brenda ditës, por kanë pak dije e vetëdije mbi to dhe nuk dinë si t’i përdorin në rrethanat e reja të jetës.
Teknologjia digjitale, inteligjenca artificiale, sot kanë krijuar një gjeneratë të idiotëve, që japin leksione pa kompetencë, në të njëjtat hapësira publike ku edhe intelektualët e dinjitetshëm operojnë. Telefonat inteligjentë po krijojnë idiotë digjitalë në trajtë njeriu. Po nxitet një lloj autizmi digjital.
Modeli “scroolling” i kërkimit dhe absorbimit të informacioneve po e mbytë imagjinatën, po e dëmton strukturën e të menduarit dhe të mbajturit mend, po e nxitë kureshtjen për kotësira, po i futë të rinjtë në ankthin e shpejtësisë dhe kohës reale, me një varësi vështirë të shërueshme, me një gjuhë të varfër komunikimi dhe me lidhje të shumëfishta e të rrëmujshme ndërmjet vete.
A e keni parë sa shumë ju acarohen nervat kur takoheni me një idiot që gjithë ditën qëndron në telefon duke gëlltitur informacione të paverifikuara, konspiracione, propaganda, fragmente të dekontekstualizuara, mite, legjenda, populizëm, materiale komerciale, lajme të rrejshme dhe nuk e mban mend kur e ka lexuar një libër herën e fundit, ndërsa mundohet t’ju japë leksion, t’ju mësojë, madje t’ju sfidojë duke ju kundërshtuar në tezat për të cilat ju keni studiuar me vite, në argumentet për të cilat ju keni lexuar qindra libra, në temat për të cilat ju keni përvoja reale?!
Pra, vërtet ata mund të kenë shumë informacione, por ata nuk dinë asgjë. Janë injorantë të rryer, me vetëbesim të rrejshëm e me egoizëm të brishtë. Sepse rrjetet sociale nuk prodhojnë dijetarë dhe shkencëtarë.
A keni hasur në persona që pretendojnë se janë profesionistë, inteligjentë dhe intelektualë, ndërsa kur takohen me një grup të idiotëve, ndihen inferiorë dhe shkrihen në idiotë, bien në nivelin e tyre dhe mundohen të flasin me klishetë dhe zhargonin e idiotëve, duke përqafuar narracionet e tyre me një buzëqeshje artificiale komformiste?
Kemi të bëjmë me një teknologji që po bluan afërsinë fizike dhe emocionale midis njerëzve, duke e zëvendësuar kohën, emocionin, shijen, empatinë, që mund t’ia dhurojmë njëri-tjetrit.
Po ndërtohen njerëz hibridë – njerëz-makina, të automatizuar, të teknologjizuar deri në thellësi hormonale, gjenetike, qelizore, neurotike e emocionale, që mendjet njerëzore synojnë t’i kthejnë në makina statistikore algoritmike, me një inteligjencë në rritje kundrejt vetëdijes njerëzore, ku krejt makineritë e sofistikuara që do të vijnë deri në gjysmën e shekullit XXI do të jenë “zotërinjtë e njerëzve”, ndërsa profesionistët do të ndihen inferiorë përballë tyre.
Nëse në vitin 1950, Alan Turing, një nga mendimtarët më inovativë të shek. XX që hodhi themelet e para në shkencat kompjuterike dhe informatikën moderne, kishte të drejtë kur doli me pyetjen e famshme: “A mund të mendojnë makinat?”, një shekull pas tij, më 2050, askush nuk do të ketë të drejtë të shtrojë pyetjen: “Pse nuk mendojnë më njerëzit?” sepse përgjigjen e gjejnë në pyetjen e Turingut. Sa më shumë që “mendojnë” makinat, aq më pak mendojnë njerëzit.
Elitat intelektuale do të shuhen, do të margjinalizohen dhe do të jenë konsulenca e fundit në shprehje. Pra, inteligjenca artificiale synon t’i bluajë dhe t’i absorbojë kompetencat dhe kontributet e intelektualëve, që shoqëritë e ardhshme konsumuese, nën presionin e kohës dhe nën logjikën e lehtësisë, të sfiduar nga mania e përdorimit të platformave, nuk do të shpenzojnë resurse tradicionale për të ardhur deri tek një informacion, studim, produkt, rezultat apo konkluzion. Dhe mjeshtëria e modifikimit do t’i shpëtojë ata nga përgjegjësia e plagjiatit.
Inteligjenca artificiale nuk është inteligjencë krijuese. Ajo nuk krijon, nuk ka imagjinatë, nuk ka emocion, nuk ka empati dhe nuk mund të fillojë diçka nga zero, ndërsa mendja njerëzore po. AI zbaton vetëm atë që programohet dhe nuk ka liri të zgjedhjes apo gjykimit me ndërgjegje dhe vetëdije si njeriu që ndikohet nga sistemi, zakoni, kultura, familja, feja, normat etj. Vetëm raca njerëzore e plotëson komponentën humane. Kreativiteti njerëzor është kreativitet natyral dhe dhunti e Zotit, e zhvilluar me sistem të edukimit. Inteligjenca artificiale është kreativitet programues dhe modifikues, por nuk mund ta tejkalojë zgjuarsinë krijuese të njeriut.
Duke zhvilluar inteligjencën artificiale në teknologjitë që zëvendësojnë dhe përmbushin funksionet kreative dhe kritike të jetës së njeriut, nuk duan që të krijojnë njerëz të zgjuar, njerëz konkurrentë, njerëz kritikë, në mënyrë që t’i manipulojnë më lehtë, duke i bërë ata të varur thellësisht nga AI dhe kështu truri dhe mendja e tyre të diktohet nga fuqitë teknologjike.
Shikoni njerëzit që punojnë nëpër institucione e në kompani të ndryshme, si ecin, si shikojnë, si reagojnë e si sillen si qenie robotike, pa asnjë element empatie, jo si qenie sociale, por me një shpirt acari, të akullnajave sociale, që burimin e ka në super-unin e tyre, që vetëm një ngrohje globale kulturore mund ta shkrijë.
Edhe pse mund të krenohen me koeficientin e lartë të inteligjencës mendore (IQ), ata janë të ftohtë, kanë mungesë të çdo ndjesie, me mrrola në fytyrë, plot nervozizëm e me turbulenca në personalitet, të cilat akumulohen në kriza neurotike, që krejtësisht normale për ta është të mos përshëndesin e të mos buzëqeshin asnjëherë, ndërsa i shikojnë të tjerët përreth tyre si të ishin jashtëtokësorë. Nëse pyeten pse janë kështu, përgjigjen se kjo është natyra e tyre. Funksionojnë në mënyrë tipike si kompjuterë: dinë të japin vetëm përgjigje, asnjëherë të pyesin, as të bashkëndiejnë apo të gjykojnë. Çdo gjë që deri tani ka pasur burim vetëm shpirtëroren, të natyrshmen, spontanitetin, kreativitetin, tani ka rrezik të ketë burim vetëm artificialen.
Ata mund të shquhen për koeficient të lartë të inteligjencës mendore (IQ), që prek vetëm një dimension të tyre të jetës, por në sferat e tjera të inteligjencës emocionale ata dështojnë gjithmonë, në probleme të natyrave emocionale dhe sociale shpërthejnë dhe humbin ekuilibrin e jetës, nuk kanë asnjë kapacitet për t’i menaxhuar krizat e jetës apo për të ndërvepruar me njerëz në diversitet. Mund të jenë edhe shumë të suksesshëm në biznese, por mungesa e inteligjencës sociale ua tregon fytyrën e vërtetë të personalitetit.
Libri “Inteligjenca emocionale – Pse mund të ketë rëndësi më shumë se IQ-ja?” nga psikologu i njohur Daniel Goleman është libri i parë që ia sugjeroj çdo kujt ta lexojë.
Prandaj fiksimi dhe mania pas IQ-së si instrument i vetëm që karakterizon “të zotët e mendjes” është shndërruar në një mit. Njoh shumë personalitete që kurrë në jetë nuk e kanë matur IQ-në e tyre, por janë emocionalisht shumë të fortë, janë menaxherë të shkathtë dhe efikasë të problemeve, krizave dhe nyjeve, kanë një elegancë dhe diciplinë të lartë të punës, nuk kanë konfuzione dhe iluzione mbi jetën. Ata ndoshta nuk dinë t’i zgjidhin problemet matematikore në “dërrasë të zezë”, por dinë t’i zgjidhin shumë probleme komplekse reale në “përvoja dhe situata të zeza”.
Inteligjenca artificiale po krijon gjuhë programuese, që njeriut post-modern t’i ofrojë një lloj përmbushjeje shpirtërore e funksionale, duke i dhënë gjëra të gatshme, të lehta, të automatizuara dhe të shpejta sipas kërkesës, që nuk kërkojnë shumë mund apo kohë, jo si produkte të imagjinatës, por si gjenerim, përpunim dhe fragmentim informacionesh të grumbulluara nga interneti, nganjëherë si materiale të rreme që duken si autentike por krijojnë halucinacione, që në fakt janë vetëm një plagjiaturë e teknologjisë së lartë që shmang edukimin mbi të mësuarit.
Madje madje, mjegullojnë vijën e hollë që ndanë të vërtetën nga e pavërteta, faktin nga trillimi, informacionin e saktë nga informacioni i manipuluar, përmes ndërhyrjeve e sintetizimeve për figura, ngjarje, situata, që instrumentalizojnë procese të rëndësishme shoqërore e demokratike.
Ngatërrojnë kuptimin e realitetit dhe ndjenjat origjinale me botën virtuale iluzore. Ato nuk ndikojnë vetëm në orkestrimin e opinionit publik, por edhe emocional, duke krijuar narrativa të rreme. Mashtrimi, manipulimi, keqinformimi, falsifikimi dhe dezinformimi nuk janë të sigurta dhe të garantuara nga inteligjenca artificiale. Përkundrazi, ato janë instrumente brenda saj.
Shembull, kur ju keni dashur t’ia dedikonit dikujt një poezi apo një ese, e keni shkruar me plot pasion, ndjenjë, imagjinatë, empati e dashuri, ndërsa e ardhmja e inteligjencës artificiale – robotëve është se ajo do ta zëvendësojë edhe poetin në poezi, eseistin në ese, artistin në art, gazetarin në informim, makinistin në prodhim, mësuesin në edukim, sportistin në lojë, shkrimtarin në shkrimin e librave dhe përkthyesin në përkthimin e teksteve apo komunikimeve.
Do t’i sfidojë shumë profesione dhe do t’i lë pa punë shumë profesionistë, duke i bërë të ndihen të margjinalizuar, të parëndësishëm, inferiorë, të vjedhur, të mangët, nga një inteligjencë në rritje, e cila pikë kryesore referimi do t’i ketë gjetjet, kërkesat dhe nevojat e ardhshme të njerëzimit.
Por asnjë inteligjencë artificiale nuk do të mundë ta tejkalojë nivelin e të shkruarit të një autori që ka mendim të thuktë kritik. Nuk do të mundë të ofrojë shpjegime, përshkrime dhe artikulime mbi thelbin e problemeve sociologjike, siç i trajton një qenie profesionale njerëzore.
Mendja njerëzore është shumë më e aftë, më elegante, më kompetente, më e përgjegjshme, më efikase, më intiutive për zgjidhjen e problemeve. Problemet e ndërlikuara kërkojnë analizim të specifikave, të rrethanave dhe të faktorëve në kontekste socio-kulturore, me metodologji të avancuara shkencore, prandaj qasja në të dhënat që dalin nga kjo inteligjencë artificiale, në modifikime të sofistikuara të dhënash e faktesh është e pamjaftueshme dhe nuk zgjidh probleme. Njerëzit nuk do të kërkojnë apo nuk do të hulumtojnë më për problemet e ndryshme nga profesionistët e fushave, pasi do të mundohen të gjejnë zgjidhje të gatshme, të shpejtë, improvizuese, shumë herë pa sukses.
Njerëzit nuk kanë më nevojë për një inteligjencë të shkrimit për të shkruar një libër apo për të bërë një hulumtim shkencor për nevoja akademike, për të diplomuar apo për t’u kualifikuar. Kjo inteligjencë artificiale, si një kolonist akademik, ku ne mund të porositim struktura, probleme të zgjidhura e vepra të gatshme, po prodhon analfabetizëm intelektual, po cenon pronat intelektuale, po përmbys kreativitetet njerëzore dhe po shkel të drejtat e autorëve.
A mundet AI të zhvillojë dhe drejtojë në mënyrë të pavarur zbulime dhe hulumtime shkencore?
A mundet AI ta parashikojë të ardhmen apo ta interpretojë të kaluarën?
A do ta arrijmë kohën kur duhet të kujdesemi se çfarë të mendojmë sepse teknologjia rreth nesh do të jetë e aftë të na lexojë mendjen, pra kur mendja jonë do të jetë nën kontroll të plotë të teknologjisë, ndërsa konfidenca, intimiteti, personalja, sekreti dhe privatësia do ta humbin kuptimin, pasi do t’i “bluajnë” mullinjtë, jo të erës, por të teknologjisë?
E di se inteligjenca artificiale sot na tremb dhe intrigon. Por për një revolucion që do të kontrollojë trurin njerëzor dhe do të ndryshojë përvojën njerëzore duket se disa njerëz e kanë shumë seriozisht. Neuralink është një shembull në të cilin po punohet seriozisht, ku implantimi i pajisjeve, çipave në tru, mbetet një sfidë ende e pasigurt, që ngre shumë pyetje dhe dilema, jo vetëm teknike e neurologjike nëse bartë rreziqe dhe nuk garanton efikasitet pa pasoja, por edhe etike mbi privatësinë, mbi monitorimin dhe manipulimin e mendimeve dhe emocioneve njerëzore.
Kureshtja mbi mundësitë që sjellë teknologjia vërtet është një çudi. Sepse dikujt i ka shkuar mendja të kolonizojë Marsin dhe të krijojë atje një qytet të vetëqëndrueshëm për një milion njerëz, ashtu siç ëndrron Elon Musk dhe kompania e tij SpaceX, të arrijnë një gjë të tillë deri në vitin 2050. Dhe po kështu edhe e ardhmja e robotëve humanoidë mbetet një sfidë me shumë dilema, larg aftësisë së funksionimit autonom dhe të pavarur nga kontrolli i operatorëve njerëzor.
Por a kanë makinat vetëdije? A kanë makinat ndërgjegje? A kanë makinat dinjitet? A kanë makinat empati? A kanë makinat emocion? Pra, çfarë kanë ato përtej algoritmit, fuqisë përpunuese, njohjes dhe memories dhe cili është raporti i inteligjencës artificiale me atë sociale dhe emocionale? Ka shumë pyetje që unë shtroj të cilat sfidojnë idenë se inteligjenca artificiale do ta tejkalojë atë njerëzore.
Idiotët digjitalë shpeshherë qëllojnë të jenë ekspertë e profesionistë në fusha të ndryshme, por kanë një mungesë të thellë, shumë të thellë: kanë nevojë për një trajnim intensiv mbi inteligjencën emocionale. Ndjenjat dhe vlerat, si: empatia, dashuria, respekti, solidariteti, i kanë të shtypura e të ndrydhura, të mbyllura si në kasafortë hermetike, të blinduara, pothuajse duhet t’u rezistojnë goditjeve e sulmeve. Ata edhe pse e prodhojnë konfliktin, nuk e ndiejnë atë. Sepse janë të pushtuar nga një gjendje melankolie. Inteligjenca në të cilën ata besojnë, i ka tjetërsuar dhe instrumentalizuar. Ndryshe, ata do të sillen si asimptomatikë, por realisht me një sëmundje, që rrezikon të bëhet kronike dhe infektive, afërsisht skizofrenike, kulturalisht vdekjeprurëse.
Sot kemi një invadim dhe kampanjë të sofistikuar të idiotëve, të cilët, si një ortek që merr me vete çka gjen përpara, me telefona të mençur, po injektojnë injorancë kudo. Si pajisjet elektronike që akumulojnë ngarkesë elektrike, edhe idiotët kanë krijuar fusha elektromagnetike me intensitet të lartë, pasi vlera e tensionit të idiotësive është e lartë. Gjurmët e tyre i vërejmë në çdo sferë të jetës private e publike, zyrtare dhe jozyrtare.
Nuk ka nevojë për gërmime arkeologjike. Ata janë në mesin tonë, me ne e rreth nesh. Kanë homologë në çdo vend – bëjnë tifo për njëri-tjetrin. Janë infektues si viruset. Rrezikojnë të shkaktojnë vdekjen kulturore të një kombi dhe jo vetëm kaq, kulturocidi – fshirja e gjurmëve kulturore është dëshirë e tyre e zjarrtë, sepse duan të krijojnë faqe të re të historisë. Duan t’i zhdukin intelektualët e denjë dhe t’ua fshijnë veprat, ashtu si nga karbonizimi i trupave që nuk mund të identifikohen njerëzit. Murtajë e idiotëve, e shpërndarë nëpër institucione, që paralizon çdo gjë.
Fati i brishtë i një shoqërie ku ne nuk ndihemi rehat, është ky: ne jetojmë në një shoqëri post-moderne, që elektrizohet nga masa, që magjepset nga turma, që entuziazmohet nga zhurma, që frikësohet dhe nënshtrohet nga piskama, që tëhuajtësohet nga pozicioni, që argëtohet me dhunën, që përfiton nga tragjeditë dhe që asnjëherë nuk thotë FALEMINDERIT, sepse mendon se ne kemi qenë të obliguar t’i ndihmojmë asaj./KultPlus.com