Salih Krasniqi promovon librin që dokumenton krimet e kryera nga forcat serbe në QKUK gjatë viteve 1998-1999

18 Mars, 2022 - 11:53 pm

Flonja Haxhaj

Krimet e kryera nga forcat paramilitare serbe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 u dokumentuan në dy vëllimet e librit “Krimet e luftës kundër pacientëve dhe personelit mjekësor të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe në QKUK – gjatë periudhës 1998-1999” me autor Salih Krasniqi që u promovuan sot në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Krasniqi, i cili shërbeu si mjek në QKUK gjatë kësaj periudhe, në këtë libër ka përshkruar krimet ndaj 1239 pacientëve të torturuar duke u bashkëngjitur fotografi, përkufizime e rrëfime të vetë pacientëve dhe familjarëve të tyre.

Me fillim të kësaj ngjarje u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave të luftës dhe të atyre që dhanë jetën për liri.

Më pas, fjalën i pari e mori profesori Ismet Salihu, një prej personave kryesorë që kontribuoi në realizimin e këtij libri.

“Doktor Sali Krasniqi gjatë këtyre 23 viteve nuk pushoi së punuari në mbledhjen, sistemimin e të dhënave dhe provave të cilat pa mëdyshje faktojnë krimet e kryera nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe ndaj mjekëve, infermierëve dhe personelit shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.” – thotë  Salihu duke u shprehur se e falënderon autorin Krasniqi për punën e bërë.

I pranishëm në këtë ngjarje që kishte mbushur plot me njerëz Sallën e Kuqe të hotelit ‘Grand’ ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili shprehet se ndjehet i lumtur që gjendet në këtë ngjarje por në të njëjtën kohë edhe i tmerruar që po rikujtohen e rikthehen imazhet e tmerrit më johuman të shkaktuar nga policia serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre.

“Këto dy libra, i kemi quajtur një enciklopedi e së keqes, klithmë drithëruese, për vendosjen e drejtësisë për 1239 pacientë, dhjetëra mjekë e infermierë, studentë e teknikë, nga mosha e të posalindurit  deri në moshën 88-vjeçare. Të tjerët kanë përshkruar  shumë më fuqishëm, më mirë e në mënyrë shumë më elokuente kontributin historik të doktor Krasniqit e unë nuk do të vazhdoj më këtë rrugë, vetëm dua të theksoj se kjo punë është shembull i rezistencës, devotshmërisë totale individuale të një njeriu, një kirurgu që nuk u pajtua me atë që koha t’i fshijë kujtimet tona, tragjedinë tonë mos ta mbulojë pluhuri i së kaluarës dhe që harresa njerëzore kurrë mos të bie mbi torturën që populli ynë përjetoi dhe mbijetoi “ – shprehet në fjalimin e tij ministri Latifi.

Pas ministrit të Shëndetësisë, fjala iu dha doktorit nga Shqipëria, Mentor Petrela i cili vlerësoi punën e bërë nga autori Krasniqi.  

“Dostojevski njihet si shkrimtar sllavofil dhe ai shkruan dy fjalë. Sllavofilët kanë dy karakterstika, hajnë rrepkat dhe kanë aftësi për të denoncuar, për të denoncuar deri në atë pikë sa që edhe ne të tjerët të pyesim se çka kemi ne që po na denoncojnë.  Vepra të cilën ka lënë me shkrim autori Salih Krasniqi është një denoncim në sensin pozitiv të historisë sonë, në atë sens që hebrejtë e kanë shumë të kultivuar dhe ne duhet të marim shembull nga ata.”- tha në fjalimin e tij doktori Petrela.

Në këtë promovim kishte të pranishëm edhe pacientë që doktori Krasniqi i kishte trajtuar gjatë kësaj kohe, ata që u kishin mbijetuar plagëve nga tortura e ushtuar nga forcat serbe. Një ndër ta ishte edhe Islam Thaçi, i cili i cilëson personelin shëndetësor si heronj të luftës.

“Ne duhet të vazhdojmë të japim shembuj në edukimin e fëmijëve tanë për heronjtë e vërtetë të kombit tonë, jo t’i mësojmë për heronjtë e botës por për heronjtë tanë. Përveç ushtarëve të UÇK-së, ka pasë heronj edhe në mesin e profesionistëve, siç ka qenë doktor Salih Krasniqi, Fehmi Bakalli, infermierë, të cilët kanë qenë të rrezikuar së bashku me familjet e tyre, dhe nuk e kanë kursyer veten dhe neve si pjestarë të plagosur të na sjellin ndihma dhe barna” – vazhdoi ai.

E për fund, fjala iu dha  vetë autorit të librit, i cili për shkaqe shëndetësore kërkoi nga moderatorja që ta lexojë fjalimin që ai ka përgatitur për këtë promovim.

“Libri u kushtohet pacientëve të plagosur e të keqtrajtuar nga policia e paramilitarët serbë, personelit shëndetësorë, mjekëve, infermierëve, studentëve të fakultetit të Mjekësisë dhe punëtorëve të institucioneve shëndetësorë që u vranë nga forcat serbe gjatë luftës, personelit mjekësor që kanë punuar në QKUK gjatë luftës në rrethana shumë të vështira, personelit shëndetësor shqiptar që kanë punuar në spitalet ushtarake në Kosovë në kushte të jashtëzakonshme, pacientëve të plagosur në burgun e Dubravës, të cilët përjetuan masakër nga forcat serbe dhe u sollën për mjekim pas disa ditësh, të gjithë atyre që u dolën në ndihmë ushtarëve të UÇK-së dhe civilëve që kishin nevojë për ndihmë mjekësore, familjes sime. ”- fillon fjalimi i doktorit Salih Krasniqi.

‘Ky është libri i parë faktmbledhës që dëshmon për veprimet barbare në përmasa të gjenocidit të pushtetit serb ndaj pacientëve dhe personelit shëndetësor të QKUK-së gjatë luftës së fundit për liri të Kosovës.” – vazhdon fjalimi i Krasniqit duke shtuar se në këtë libër në kuadër të tematikës bosh, prezantohen emrat e pacientëve të shtrirë në spital, diagnozat e tyre dhe peripecitë e tyre që ua kishte shkaktuar policia serbe e vendosur brenda QKUK-së.

Rreth 6000 pacientë janë trajtuar në kirurgji dhe ortopedi. Në vitin 1998 janë 4500 pacientë, kurse në vitin 1999 janë 1500 pacientë. Nga këta pacientë, në këtë libër janë të përshkruar 1239 pacientë, ndër ta janë 372 gra dhe 856 burra dhe 11 pacientë të tjerë, 36 pacientë pa datëlindje, 31 pacientë nga burgu i Dubravës, 402 ishin fëmijë deri në 17 vjeç dhe 741 të rritur./ KultPlus.com

Të ngjajshme