Salla në Bibliotekën Kombëtare do marrë emrin e historianit rancez, Pierre Cabanes

18 Prill, 2024 - 7:57 pm

Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi priti sot në një takim këshilltarin e ambasadës franceze për çështjet e kulturës dhe edukimit, Pierre Raynaud.

Raynaud gjatë takimit shprehu dëshirën për bashkëpunimin me ambasadën franceze në fushën e trashëgimisë kulturore.

Ai foli për organizimin e javës së kulturës franceze, që do të zhvillohet në maj 2024 nën kujdesin e kryeministrit, Edi Rama me bashkëpunimin e ngushtë të ambasadës franceze.

Konkretisht ai bëri një ftesë për organizimin e përbashkët të një veprimtarie të posaçme dedikuar prof. Pierre Cabanes, inaugurimin e sallës “Pierre Cabanes” në Bibliotekën Kombëtare, fondi i së cilës do të shtohet me veprat e prof. Cabanes, historianit dhe arkeologut francez, që dha një kontribut të madh në zhvillimin e shkencave albanologjike.

Salla do te marrë emrin e historianit dhe arkeologut të mirënjohur francez, Pierre Cabanes, jo vetëm për kontributet që ka dhënë në arkeologjinë dhe historinë shqiptare, por edhe në shenjë mirënjohjeje të aktit të tij, që pak kohë para se të largohej nga jeta ia dhuroi bibliotekën e tij Shqipërisë.

Gjinushi u shpreh i gatshëm për bashkëpunimin në organizimin e kësaj veprimtarie.

Ai foli dhe mbi takimin që pati me prof. Cabanes, gjatë vizitës që ky i fundit bëri në Shqipëri në kuadër të Kongresit të Studimeve Albanologjike në vitin 2021.

Gjithashtu, Gjinushi ritheksoi faktin që prof. Cabanes ka një kontribut të veçantë ne zhvillimin e shkencave arkeologjike në Shqipëri e përgatitjen e arkeologëve shqiptarë e për këtë i është akorduar titulli “Nderi i Akademisë së Shkencave”.

Gjatë bisedës u fol edhe për traditën e bashkëpunimit mes Francës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit dhe shkencës që nga fillimet e shekullit të kaluar e deri më sot, sidomos nëpërmjet bursave te akorduara nga shteti francez, bashkëpunimit midis institutit te arkeologjisë e shkollave franceze, diplomave të dyfishta që jepen për studentët shqiptarë nëpërmjet bashkëpunimeve midis universiteteve shqiptare e atyre franceze./KultPlus.com

Të ngjajshme