Saranda destinacioni i 32 kroçerave dhe 511 jahteve në 7 muaj

18 Gusht, 2023 - 12:31 pm

Saranda vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “nga janari deri në fund të korrikut në portin e Sarandës kanë mbërritur 32 kroçera dhe anije turistike”.

Sipas tij, gjatë verës ka pasur një numër të lartë të jahteve luksoze që kanë vizituar Sarandën.

“Në janar-korrik në port janë ankoruar  511 jahte turistike”, shtoi ai.

Qendro u shpreh se “kroçerat kanë pasur në bord turistë nga vende të ndryshme të botës si Amerika, Franca, Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj ”, theksoi Qendro.

Qendro tha se “vetëm në muajin korrik kanë vizituar Portin e Sarandës 9 kroçera dhe tragete turistike si dhe 230 jahte”.

Sipas tij, muaji gusht dhe 8 mujori i këtij viti pritet të ketë një tjetër rritje në krahasim me 2022.

Turistët që vijnë me kroçera kanë vizituar sitet turistike e arkeologjike të Sarandës, Gjirokastrën, si dhe kanë shijuar kulinarinë shqiptare të zonës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme