Seanca për ditën e gruas, Vjosa Osmani: Nuk është e lehtë të përballemi me paragjykime

9 Mars, 2020 - 11:39 am

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka folur sot në seancën e veçantë, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“E vlerësojmë faktin që këtë të premte është ngritur aktakuza e parë për përdhunim gjatë luftës. Është e dhimbshme që dy dekada pas luftës këto raste po mbahen të heshtura dhe jashtë diskursit publik”, ka thënë Osmani.

Tutje, Osmani ka thënë se kjo seancë është vendosur që t’i kushtohet viktimave të mbijetuara të dhunës seksuale që të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes.

“Ne kemi vendosur që seancën që do të shënonim ditën e gruas të ja kushtojmë të mbijetuarve të dhunës seksuale, që të ndikojmë sado pak në ngritjen e vetëdijes. Ne sot i kujtojmë të gjitha viktimat e luftës së fundit, ne duam të prekim ndërgjegjen tonë dhe të ju bëjmë thirrje të gjitha të mbijetuarve që ta ngrijnë zërin e tyre.

Thirrje për të gjitha të mbijetuarve që historinë e tyre të ja besojnë komisionit. E dimë që nuk është e lehtë të përballemi me paragjykime, por, rrëfimi i krimit është më i fuqishëm se stigma”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme