Selmani: Jemi shumica larg vite dritë me e kuptu gjendjen e personave me nevoja të veçanta

3 Dhjetor, 2020 - 12:16 pm

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.

Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit.

Në Kosovë, janë dukshëm më të theksuara problemet me të cilat përballen personat me aftësi të veçanta. Gazetari Arbër Selmani, duke pasur një familjar me aftësi të veçanta për të cilin ai kujdeset çdo ditë, ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook, duke treguar ballafaqimin e tij të përditshëm me infrastrukturën aspak adekuate për këto raste dhe problemet tjera shtesë. Sipas tij, shoqëria jonë është larg vite dritë për ta kuptuar gjendjen e personave me nevoja të veçanta.

KultPlus ju sjell reagimin e tij të plotë pa ndërhyrje:

Sot osht Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta
Para banesës teme, është një kalim për karroca të çfarëdoshme. Prindërit debilla, njerëzit që thirren në edukim dhe edukojnë e shumëzojnë padyshim debilla të tjerë, qytetarë që dojnë me e shti kerrin mrena në banesë prej zorit e budallakisë, e parkojnë kerrin bash para kësaj pjese edhe nuk e mendojnë që hiç hiç, këtu kalon një vajzë a një djalë me një shoqërues, në karrocë invalidore. Së paku një person me nevojë të veçantë kalon këtu se shkallëve nuk mundet.
*
Në Kosovë, thirremi fuqishëm që i respektojmë të drejtat e njeriut, e n’fakt personat me nevoja të veçanta as nuk i bojmë hesap dhe diqysh sikur e kemi të instalume që janë pak në numër edhe duhet me i lonë veç në kutinë ku ata gjoja se përkasin.
Pse? Sepse kurqysh nuk na hin në mendje me kriju një infrastrukturë edhe për këta njerëz. E kom potencu edhe ma herët, edhe tash: nëse mendoni që duhet me i parku 10 kerre afër njëra tjetrës e me i bashku gati se krejt, ta dini që sigurtë gjatë ditës e keni pengu një person me karrocë edhe një familjar me lëvizë lirshëm, në hapësirën mes veturave.
Ma kanë blloku krejt mahallën prej punimeve, duhna me u sillë me karrocë okolla-okolla me mujt me e vazhdu shëtitjen me personin tjetër.
Në Breg të Diellit, ku është drejtoria e Rrugëve të Kosovës e Ministrisë së Infrastrukturës, me vite kerret e kanë blloku lëvizjen te një kalim (korsi) e krijuar për karroca, qoftë për njerëz me nevoja të veçanta qoftë për karroca të llojeve e funksioneve tjera.
Para 3 muajve, te kalimi bash para NeëBorn, rreth 20 veta rrijshin si trullqa ndërsa një gru kishte nevojë me e shty se kish mbetë në mes të rrugës me karrocë. Nëse në këtë rast nuk reagoni, besomni që nuk ka as fe, as Zot e as birmilet që ju çon diçka të mirë juve e familjes tuaj.
*
Në Kosovë edhe krejt aftësitë me i pasë, jeta shtyhet me të vjellme, e lo mo ndryshe. Jemi (jeni) shumica larg vite dritë me e kuptu gjendjen e personave me nevoja të veçanta, dhe më pas me e ndryshu pak stilin tuaj të jetës në përshtatje të këtyre njerëzve. Mos të harrojmë që edhe deputetët që i kena rrush e me shpirta prush, para disa vjetve nuk dojshin me ju ndihmu personave me nevoja të veçanta.
Meqë në Kosovë nuk ma ndrron mendjen kërkush që shumica jetojmë të pasigurtë në vete, nuk e dimë çka dojmë, kush jemi, pse jetojmë, pra shumica jetojmë në një pluhnosje mendore dhe fizike, kish qenë mirë me i thirrë mendjes e me i ndihmu secilës kategori që mundemi, në çfarëdo forme që mundemi.
Sot osht Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta, dhe ka shumë pak rëndësi sepse ish dashtë secili me vepru ndryshe e me mendu edhe dikënd tjetër pos vetes. / KultPlus.com

Të ngjajshme