Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, kumtesa për arbëreshët

25 Gusht, 2022 - 1:45 pm

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare po zhvillon edicionin e 40-të.

Në punimet e këtij seminari data 25 gusht i kushtohet arbëreshëve me pjesëmarrjen e drejtores ekzekutive të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastratit dhe disa prej studiuesve të qendrës, të cilët do të paraqesin kumtesa dhe referime mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe.

Edicioni i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare hapi punimet më 15 gusht dhe do të zhvillohet deri më datë 26. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (dikur Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Më 15 gusht u bë hapja e punimeve të seminarit ku ishin të pranishëm: Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë; Shkumbin Munishi, Drejtor i Seminarit; Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, etj. Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, theksoi se vlera e seminarit është e madhe.

“Ky seminar është i madh jo vetëm nga numri i studentëve që marrin pjesë, por edhe nga rëndësia dhe tematikat që do të shtjellohen.

Misioni i seminarit është afirmimi i shqipes kudo në botë”, tha ajo. Ndërsa bashkëdrejtorja e seminarit Dhurata Shehri, ndër të tjera theksoi se këtë seminar e mbajti gjallë sidomos këmbëngulja për të njohur veten dhe për t’ua zbuluar atë të tjerëve. /KultPlus.com

Të ngjajshme