Serbët bojkotojnë seancën e shënimit të Epopesë së UÇK-së

5 Mars, 2020 - 10:51 am

Në 22-vjetori e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të veçantë.

Por ministrat e komunitetit serbë nuk i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e kësaj seance.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, dhe ministri për Zhvillim Rajonal, Ivan Millojeviq, nuk janë duke marrë pjesë në kujtimin e Epopesë së UÇK-së.

Po ashtu, as deputetët serbë nuk janë parë në këtë seancë.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se rënia heroike e kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes së tij është pikë kthese në historinë e Kosovës.

“Rënia e tyre shpërfaqi fytyrën e vërtetë të shtetit serb si asnjëherë më parë”, tha Kurti.

Ai më tej tha se pa luftën dhe qëndresën e Jasharëve nuk do të kishte UÇK.

Kurti tha se për Jasharët flijimi i tyre nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, dhe se me Jasharët çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre.

Ndërkaq, kryeparlamentarja Vjosa Osmani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se sot po përkujtohet vepra heroike e komandantit legjendar Adem Jashari si dhe sakrifica sublime e familjes Jashari dhe ndikimi që pati ajo, që bota të shihte se një popull i tërë ishte në rrezik nga agresioni serb.

Ajo tha se komandat Adem Jashari edhe atëherë kur iu rreziku familja e jeta e tij, asnjëherë të vetme nuk e mendonte dorëzimin, kjo madje nuk ndodhi as edhe me 5 mars të vitit 1998 ku për më shumë se 30 orë familja Jashari po përballej me sulmet e vazhdueshme të policisë e ushtrisë serbe.

“Heroizmi dhe sakrifica e kësaj familje ja shpalosi pamjet e regjimit totalitar serb. Pamjet e fëmijëve, të grave dhe pleqve u shndërruar shpejt në thirrje globale për mbrojtjen e vlerave humane. Ngjarjet e 5-6-7 marsit i dhanë vulën solidaritet mes njerëzve”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit tha se kjo seancë dhe ky tubim duhet të shërbejë jo vetëm për të kujtuar familjen Jashari, por edhe për të ripërtëritur kujtesën tonë.

“Sot jemi mbledhur jo vetëm për t’i kujtuar ata, por për ta ripërtëri kujtesën tonë. Secili shqiptar ishte i gatshëm të sakrifikonte, secili ishte Blerina e vogël, secili ishte zëri kumbues i 18 grave, i 10 fëmijëve të cilëve ëndrra iu pre pa iu nisur mirë. Sakrifica e tyre i dha udhë ëndrrës tonë të madhe, për liri të vendit”, tha ajo.

Osmani përmendi një nga një të gjithë anëtarët e familjes Jashari, duke thënë se ata nuk janë thjesht një numër secili është histori në vete.

“Historia e secilit prej tyre është historia e Kosovës. Ata janë dëshmi se sa e shtrenjtë është jeta dhe se sa ishte çmimi për liri. Ata mbrojtën pragun e shtëpisë sonë të përbashkët”, theksoi Osmani. / KultPlus.com

Të ngjajshme