Sfinksi në Antigone, dëshmi e prodhimit lokal të enëve prej bronzi

4 Mars, 2024 - 6:09 pm

Në Antigone, prodhimi lokal i enëve prej bronzi tashmë është konfirmuar edhe nga zbulimi i një punishte ndodhur brenda banesës së artizanit të qytetit i njohur me emrin Pirro.

Figura e sfinksit, gjetur brenda kësaj punishteje, duhet të ketë shërbyer si mbajtëse dekorative e një ene të madhe prej bronzi. Në trupin e sfinksit janë vendosur krahët, të punuar veçmas, njeri prej të cilëve ka humbur. Duke krijuar lëvizjen në formën e një harku, që duket sikur çan përpara, kjo figurë gruaje me krahë shqiponje plotëson anën funksionale të kësaj mbajtëseje. Forma e bukur stilistike e sfinksit si dhe e objekteve të tjera të zbuluara, tregojnë për nivelin e lartë që kishin arritur artizanët në qytetin e Antigonesë.

Ky objekt ruhet në Muzeun Historik Kombëtar.

Skeda:

Këmbë vazoje në formë sfinksi

Bronz. Lartësia 23 cm, gjerësia 17,5 cm

Antigone

Gjysma e shek. III p. Kr.

Nr. i inventarit 1238

Antigonea ka qenë një qytet i lashtë i ndërtuar në shekullin III para Krishtit, ishte një qytet jetëshkurtër, që jetoi  rreth 150 vjet. Rrënojat e tij ndodhen 14 kilometra nga qyteti i Gjirokastrës.

Themelimi i qytetit lidhet me një nga emrat më të famshëm të antikitetit, mbretin Pirro të Epirit. Në fillim të shekullit III p. Krishtit Pirro u detyrua të shkonte në luftë në Egjipt, ku aftësitë e tij tërhoqën vëmendjen e Berenicës, gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i ofroi atij dorën e së bijës, Antigoneas. Si mirënjohje për vjehrrën dhe gruan e tij të parë, Pirro vendosi të ndërtonte një qytet të ri me emrin Antigonea./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme