Shawn Mendes ndez natën, Mochakk sjell afterparty-n: Ja çfarë pritet sonte në Sunny Hill Festival

2 Gusht, 2025 - 4:30 pm

Atmosfera elektrizuese e Sunny Hill Festival vazhdon me natën e dytë, më 2 gusht, ku emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe vendore do të marrin skenën dhe do të sjellin një përvojë të paharrueshme për publikun.

Festivali nis nga ora 14:00 në The Next Stage, me performanca nga DJ Bana Zahiti dhe Bletapërtace, të cilët do të hapin mbrëmjen me ritme të freskëta verore, shkruan KultPlus.

Pas orës 17:45, vëmendja zhvendoset në Sunny Hill Stage, ku do të ngjiten një sërë artistësh të njohur: Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainté, Pint, Ledri dhe Headie One.

Në kulmin e natës, do të performojë një nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore, Shawn Mendes, që pritet të sjellë një show të jashtëzakonshëm për fansat që kanë mbushur Prishtinën nga e gjithë bota.

Por mbrëmja nuk përfundon aty, në mesnatë hapet C4 Stage, ku do të nisë afterparty me performanca deri në orën 05:00 të mëngjesit. Pjesë e skenës do të jenë Sugar Rush, Artssassin, Uran B., dhe DJ-i brazilian Mochakk, i njohur për setet e tij unike dhe energjinë e jashtëzakonshme që sjell në çdo performancë.

Sunny Hill Festival po vazhdon të përmbushë pritshmëritë, duke e kthyer Prishtinën në një pikë takimi të muzikës botërore dhe një skenë që s’guxon të mungohet./KultPlus.com

Të ngjajshme