SHBA hap dyert për turistët e vaksinuar në fillim të nëntorit

23 Shtator, 2021 - 9:30 pm

Shtëpia e Bardhë njoftoi se udhëtarët e vaksinuar nga 26 vendet e zonës Shengen, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, do të lejoheshin të hynin në tokën amerikane në fillim të muajit Nëntor. SHBA do të lejojë hyrjen për ata shtetas evropiane që janë vaksinuar me një nga vaksinat të cilat janë miratuar nga agjencia federale amerikane e Ushqimit dhe Barnave të cilat janë Moderna, Pfizer dhe Janssen e kompanisë “Johnson & Johnson”.

Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar të tre këto vaksina, si dhe vaksinën Astra Zeneca.

Kjo është arsyeja pse shumë udhëtarë shqetësohen se vaksina Astra Zeneca, me të cilën shumica e britanikëve dhe 70 milionë shtetas të BE’së janë vaksinuar, mund të mos pranohet për udhëtime në SHBA kur të hiqet ndalimi i udhëtimeve.

Pavarësisht kësaj, burime jo zyrtare nga FDA u kanë konfirmuar mediave amerikane se person i vaksinuar do të konsiderohet çdo person që është vaksinuar plotësisht me një vaksinë të miratuar nga FDA ose Organizata Botërore e Shëndetit. Nese kjo ndodh lista e vaksinave shtohet edhe me vaksinat kineze Sinopharm dhe Sinovac.

Komisioni i BE’së dhe organizatat ndërkombëtare të udhëtimit prej muajsh kanë bërë thirrje për heqjen e ndalimit të hyrjes për në SHBA, masë që është në fuqi për rreth një vit e gjysmë. Brenda BE-së, Portugalia tani është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit. Rreth 84% e popullsisë prej 10.3 milionë banorëve në këtë vend tani është plotësisht e vaksinuar.

Qëllimi i Portugalisë për të vaksinuar me dy doza 85% të popullsisë së saj tani është i arritshëm dhe vendi pritet të lehtësojë disa nga masat e vendosura për të frenuar përhapjen e sëmundjes. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme