Shefi i Astronomer pezullohet pas videos virale në koncertin e Coldplay

19 Korrik, 2025 - 11:08 am

Drejtuesi ekzekutiv i kompanisë teknologjike Astronomer është larguar përkohësisht nga detyra pas publikimit të një videoje që ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Pamjet tregojnë CEO-n, Andy Byron, duke përqafuar një kolege gjatë një koncerti të Coldplay në Massachusetts, moment që u transmetua edhe në ekranin gjigant të stadiumit.

Pas publikimit të videos, ku ai shfaqet me Kristin Cabot, drejtoreshë e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, kompania ka reaguar duke pezulluar Byron-in dhe ka emëruar bashkëthemeluesin Pete DeJoy si drejtues të përkohshëm.

Pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjet, duke nxitur komente dhe meme nga përdoruesit, ndërsa momenti në fjalë u shoqërua me një koment shpotitës nga vokalisti i grupit, Chris Martin, i cili e bëri skenën edhe më të dallueshme për publikun.

Në një deklaratë publike, Astronomer theksoi rëndësinë e standardeve të sjelljes për drejtuesit e saj dhe bëri të ditur se një hetim i brendshëm tashmë është në zhvillim. Kompania gjithashtu sqaroi disa informacione të pasakta që kishin qarkulluar online, përfshirë përfshirjen e një personi të tretë që nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe një deklaratë të rreme të publikuar nga një llogari parodike në platformën X.

Astronomer është një kompani me seli në Nju Jork që operon në fushën e teknologjisë dhe të dhënave./KultPlus.com

Të ngjajshme