23 Korrik, 2025 - 7:02 pm
Shërbimi i videove YouTube ka njoftuar ndryshime të rëndësishme sa i përket kufizimeve të moshës për transmetimet e drejtpërdrejta në platformë.
Duke filluar nga data 22 korrik, krijuesit e përmbajtjes duhet të jenë të paktën 16 vjeç për të transmetuar në YouTube pa praninë apo mbikëqyrjen e një të rrituri.
Deri tani, rregullat kërkonin që fëmijët nën 13 vjeç të shoqëroheshin nga një i rritur nëse donin të realizonin video live. Por sipas ndryshimeve të reja, kjo masë do të zgjerohet dhe do të përfshijë të gjithë përdoruesit nga mosha 13 deri në 15 vjeç, raportojnë mediat ndërkombëtare.
YouTube gjithashtu paralajmëron se pas 22 korrikut, nëse një krijues nën 16 vjeç përpiqet të transmetojë pa një të rritur të pranishëm, funksione si biseda e drejtpërdrejtë do të çaktivizohen, ndërsa pjesa tjetër e funksionaliteteve do të bllokohet përkohësisht. Transmetimet që nuk përputhen me rregullat e reja do të hiqen nga platforma, transmeton KultPlus.
Për të vazhduar transmetimet, përdoruesit nën 16 vjeç mund t’i japin një të rrituri qasje në kanalin e tyre duke e emëruar atë si redaktor, menaxher apo pronar. Kjo do t’i lejojë të transmetojnë përmes një llogarie të lidhur me kanalin zyrtar, duke shmangur kështu shkeljen e rregullave të reja. Më parë, ky proces duhej bërë përmes opsionit Live Control Room.
Gjithashtu, YouTube thekson se të rriturit që bashkëkrijojnë përmbajtje me krijues më të rinj se 16 vjeç duhet të jenë qartësisht të pranishëm gjatë transmetimit dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të barabartë në video live./KultPlus.com