4 Shtator, 2025 - 5:40 pm
Në Podgoricë, mbrëmjen e kaluar është ndërprerë shfaqja e filmit “Lejleku” të regjisorit Isa Qosja, e cila u zhvillua në kuadër të Džada Film Fest. Ngjarja u zhvillua në rrugën “27 Marsi” në Zabjelo, ku, sipas dëshmitarëve, një grup të rinjsh shprehën pakënaqësi për faktin se filmi ishte në gjuhën shqipe, gjë që solli ndërprerjen e shfaqjes. Në vendngjarje më pas mbërriti edhe policia.
Organizatorët e festivalit reaguan menjëherë duke sqaruar se projekcioni u ndërpre për arsye sigurie.
“Edhe pse besojmë në lirinë e shprehjes artistike dhe në dialogun që nxit kinemaja, vendosëm ta ndalim shfaqjen nga parimi i kujdesit. Policia ishte e pranishme me detyrë zyrtare. Na vjen keq për pakënaqësitë e shkaktuara, por vazhdojmë më tutje me të njëjtin entuziazëm, sepse kinemaja është hapësirë për të gjithë,” theksoi organizatori në komunikatën e tij.
Festivali Džada promovon bashkëjetesën, respektimin e diversitetit dhe shikimin e filmave nën qiell të hapur.
Filmi “Roda” e ka pasur premierën në Mal të Zi fundvitin e kaluar dhe është shfaqur tashmë në disa qytete, përfshirë Tuzin, Barin dhe gjatë Festivalit të Filmit në Herceg Novi. Subjekti i tij zhvillohet në një zonë kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe trajton temat e mentalitetit, patriarkatit dhe jetës në hapësirat e izoluara.
Regjisori Isa Qosja, i lindur në Vuthaj, Mal të Zi, është një nga emrat më të njohur të kinemasë shqiptare, me vepra të vlerësuara ndërkombëtarisht, përfshirë filmin “Proka” (1988), i cili është shpërblyer në Festivalin e Kanës./KultPlus.com