Shitet për 113.000 dollarë koleksioni i letrave të fshehta të Dianas

25 Mars, 2021 - 10:58 pm

Me një çmim prej 113.000 dollarësh është shitur në një ankand në Londër koleksioni i letrave dhe kartolinave të shkruara nga dora e princeshës së ndjerë britanike, Diana.

Këto letra, princesha, nëna e princave William dhe Harry, ia kishte dërguar mikut të familjes, Roger Bramble. Për gati tri dekada, këto letra janë mbajtur të fshehura në një dollap në shtëpinë e familjes Bramble, ndërkaq është bërë e ditur se ato ishin shkruar ndërmjet viteve 1990 dhe 1997.

Shumica prej këtyre letrave e shpërfaqin dramën e përjetuar nga princesha, përfshirë divorcin e saj me princin Charles, luftën me problemet e shëndetit mendor dhe presionin e medias, me të cilin ishte përballur gjatë jetës. Këto shkrime të Dianas e nxjerrin gjithashtu në pah dhe një anë tjetër të personalitetit të saj, atë më qesharak dhe argëtues.

“Kemi qenë të shqetësuar për portretizimet bashkëkohore të Dianas që mund të bëhen në mendjet e publikut. Besojmë se këto letra zbulojnë se ajo ka qenë një qenie njerëzore e dashur, e kultivuar dhe e mrekullueshme dhe se publikimi më i gjerë mund vetëm t’i japë një meritë më të madhe autores së tyre”, ka bërë të ditur në një deklaratë për media familja Bramble. Mediat e huaja kanë raportuar se në një letër drejtuar Brambles, nga 19 tetori i 1995-s, Diana i referohet me shaka mbretëreshës si “shefja” dhe kjo mund të jetë arsyeja pse pikërisht kjo është shitur për rreth 12.000 dollarë.

Fotografitë e Dianas dhe dy djemve të saj së bashku me një kartolinë të Krishtlindjes janë përfshirë po ashtu në koleksion./ KultPlus.com

Të ngjajshme