Shkencëtarja shqiptare, Mira Mezini fiton çmimin LOEWE Top Profesorship dhe siguron 1.9 milionë euro

27 Korrik, 2023 - 3:20 pm

Shkencëtarja shqiptare, anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka fituar  çmimin LOEWE Top Profesorship.

Mezinit, inxhiniere për shkencat kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmshtadit në Gjermani, ky çmim i siguron rreth 1.9 milionë euro për një periudhë prej pesë vjetësh për kërkimin shkencor mbi bazat e programimit për zhvillimin e sistemeve të softwer-it të të mësuarit interaktiv të decentralizuar të sigurt dhe të besueshëm.

LOEWE është programi i promovimit të kërkimit shkencor që përdor shteti federal i Hessen-it që nga viti 2008, për të përcaktuar tendencat e politikave kërkimore, me objektivin që t’i japë një shtysë të qëndrueshme peizazhit kërkimor të Hessen-it.

LOEWE do të thotë “Landes-Offensive zur Entwicklung wissenschaftlich-ökonomischer Exzellenz” (Ofensivë shtetërore për zhvillimin e përsosmërisë/ekselencës shkencore dhe ekonomike).

Biografi

Mira Mezini, profesore e shkencave kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmstadt-it (Gjermani); profesore e ftuar në disa vende të Botës, duke përfshirë Britaninë e Madhe; zëvendëspresidente e Universitetit të Darmstadt-it për transferimin teknologjik dhe më pas edhe për kërkimin dhe inovacionin ka shprehur në mbledhjen solmne të Asamblesë një mesazh falënderimi për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që e zgjodhi anëtare të jashtme.

Ajo falënderoi personalisht Kryetarin e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushin që ky status i jepet në një kohë kur Kryetar i Akademisë është edhe profesori i saj i preferuar, duke pasur në kujtesë leksionet e tij të analizës matematike.

Mira Mezini është autore e 233 artikujve shkencorë të indeksuar në Scopus List dhe i 293 artikujve të kuotuar në Research Gate, me rreth 7000 citime; e cilësuar kërkuese shkencore ekselente me njohje dhe vlerësim ndërkombëtar në fusha shumë të rëndësishme të shkencave kompjuterike si gjuhët e programimit dhe paradigmat, zhvillimi i softuerëve të automatizuar, analiza e programeve dhe siguria e softuerëve; bashkëthemeluese e nëndisiplinës mbi paradigmën e zhvillimit të softuerëve të orientuar duke vendosur parime të reja shkencore.

https://www.tudarmstadt.de/…/einzelansicht_416192.de.jsp. / KultPlus.com

Të ngjajshme