Shkollohen në Amerikë për t’u kthyer që ta zhvillojnë Kosovën

31 Tetor, 2019 - 8:37 pm

Në Uashington u zhvillua të mërkurën mbrëma me ceremoni festive një program që sjell studentë nga Kosova dhe Shqipëria në Shtetet e Bashkuara.

Janë me dhjetëra studentë, të cilët pasi mbarojnë studimet në SHBA kthehen në vendet e tyre për të ndihmuar në zhvillimin e shoqërive ku jetojnë.

KAEF quhet Fondacioni Amerikan i Edukimit për Kosovën, të cilit kohët e fundit i është shtuar edhe një program i ri për të sjellë studentë nga Shqipëria.

Synimi është që numri i bursave të rritet për të kontribuar drejtpërdrejt në të ardhmen e të dy vendeve.

Fondacioni amerikan i Edukimit për Kosovën ka sjellë deri më sot mbi 100 studentë, të cilët sot punojnë në Kosovë, në fushat më të nevojshme dhe në disa prej institucioneve të saj më të rëndësishme.

Liridona Osmanaj, e cila po mbaron masterin në Universitetin Duke në Durham të Karolinës së Veriut, shpreson që së shpejti të kontribuojë për ndërtimin e vendit të saj.

“Unë besoj se është një ndër profesionet më të rëndësishme, sepse ne jemi një shtet në tranzicion, një shtet në zhvillim“, thotë Liridona.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, thotë se gjatë tri dekadave të fundit Kosova ka kaluar nëpër ndryshime mjaft të mëdha dhe në shumë aspekte.

“Ndërtimi i një shteti dhe i një shoqërie është mjaft i komplikuar dhe duhen njerëz të kualifikuar për të patur ndryshim të qëndrueshëm. Jemi me fat që kemi patur kaq shumë kosovarë të rinj që kanë studiuar në universitetet më të mira amerikane. Përmes KAEF-it ne kemi patur mbi 100 studentë, të cilët janë kthyer në Kosovë jo vetëm me njohuritë e tyre por edhe me një etikë shumë të lartë. Ata të gjithë janë bërë përfaqësues të ndryshimit”, thotë ambasadorja.

Studentët përzgjidhen nga më të mirët, në bazë të standardeve më të larta. Ata studiojnë në mbi 40 universitete amerikane, duke përfshirë Harvardin, Columbia, Johns Hopkins, Duke dhe Yale.

Shumica studiojnë administrim biznesi dhe ekonomi por ka edhe një numër gjithnjë e më të madh që po studiojnë drejtësi, marrëdhënie ndërkombëtare dhe gazetari.

Këto bursa janë një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës.

Nuk është çështja thjesht për të shkolluar një individ. Financuesit shpresojnë se studentët që vijnë këtu do të sjellin një mendim ndryshe kur të kthehen, do të mund të luftojnë korrupsionin dhe të nxisin zhvillimin e ekonomive në Shqipëri dhe Kosovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme