Shpallen fituesit e edicionit të 4-t të panairit “Kamza Lexon”

6 Maj, 2025 - 8:20 pm

Ka mbyllur siparin edicioni i katërt i panairit ”Kamza Lexon”.

Aktiviteti u organizua nga Bashkia e Kamzës, ndërsa u zhvillua dhe një ceremoni për shpalljen e fituesve të “festivalit” letrar, të kurorëzuar nga juria e përbërë nga Ermir Nika, Alda Bardhyli dhe Arta Marku (Qëndro).

Në aktivitetin e organizuar, kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli theksoi rëndësinë e promovimit të jetës kulturore në qytet, ndërsa nisma të shumta për mbështetjen e shkrimtarëve të rinjë, por edhe atyre të afirmuar.

Në fjalën e tij kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli theksoi se është i vendosur që të vazhdojë ta mbështesë këtë panair, si dhe arsimin në tërësi në territorin e Kamzës.

“Janë mbi 40 objekte arsimore të ndërtuara me të gjithë parametrat bashkëkohore shoqëruar dhe me infrastrukturën e duhur përfshi dhe bibliotekat apo dhe sallat ku mund të bëhen promovime librash apo të llojeve të ndryshme”, bëri të ditur Suli.

Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi kërkoi nga kryetari i bashkisë Kamzë një rrugë të dedikuar për shkrimtarët.

Blushi tha se në Kamëz sot “gjen një panair, shumë lexues, debat për librin, stenda, shkolla të angazhuara, mësues letërsie të qeshur, vajza që kërkojnë autografe, dhe mbi të gjitha një respekt për shkrimtarët të cilët nderohen me çmime. I frymëzuar nga kjo atmosferë e bukur, i propozova kryetarit të këtij qyteti Rakip Sulit, t’i zerojë taksat për libraritë dhe mundësisht të krijojë në këtë qytet të ri një rrugë shkrimtarësh”.

Nata e tretë e Panairit IV të Librit “Kamza Lexon” 2025 u kurorëzua me ndarjen e çmimeve letrare.

Çmimet e Panairit IV të librit “KAMZA LEXON” 2025:

Çmimi “PANTEON” për karrierën i jepet  Fatos Kongolit “Për kontributin e jashtëzakonshëm, me gjurmë të pashlyeshme, në shkrimin e një pjese të rëndësishme të historisë së letërsisë shqipe.

Çmimi “LITTERA” për prozën e gjatë  i jepet Ben Blushit: “Për mjeshtërinë e rrëfimit, stilin e ndërtuar mes dialogësh që udhëtojnë në të ardhmen, që e bëjnë romanin “Parajsa artificiale” një vepër ku letërsia bashkëkohore shqipe shënjon arritjen e saj më të lartë“.

Çmimi “KOLEKSION” për prozën e shkurtër i jepet  Diana Çulit: – Për lëvrimin mjeshtëror të prozës së shkurtër, ndërtimin autentik të subjekteve dhe karaktereve, për stilistikën e përkorë që ekuilibron raportin mes formës dhe strukturës së rrëfimit në vëllimin “I panjohuri”.

Çmimi “KACAMISRI” për letërsinë për fëmijë i jepet Xhevahir Spahiut: “Për muzikalitetin e fjalës, për natyrshmërinë në komunikim me lexuesit e vegjël, për filozofinë e perceptueshme prej tyre, për edukimin e ndjenjave atdhetare… përmes vjershave të librit “Një mijë dashuri””.

Çmimi ”BABEL” për përkthimin i jepet Zija Vukajt: “Për sfidën e përmbushur për të risjellë në shqip një kryevepër botërore të letërsisë për fëmijë, sikurse “Pinoku” i Carlo Collodi-t, duke i qëndruar me dinjitet ballafaqimit me përkthimet më të mira paralele“.

Çmimi “MEHR LICHT” për librin studimor i jepet Ardian Vehbiut: “Për këmbënguljen profesionale dhe intelektuale në funksion të vendosjes së ekuilibrave mbi të vërtetat shkencore lidhur me gjuhën shqipe, të shpalosura në vëllimin “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”.

Shkrimtarit dhe publicistit të talentuar Shefqet Meko, i cili jeton dhe punon në Minneapolis (SHBA) i është dhënë “Çmim Nderi”: “Në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare me romanin “Rënia”, një vepër që shndërron kujtesën historike në art të vërtetë, duke ndriçuar me guxim përmbysjen e regjimit komunist.

Çmimi “Shkrimtari në komunitet” i jepet Caush Kullafi për vlerat e krijuara në përshkrimin mjeshtëror të botëkuptimit njerëzor, nëpërmjet artit të fjalës”.

Çmimi Letrar “Horizont” i jepet shkrimtarit të ri Hamdi Skeja si protagonist i spikatur në letërsinë e brezit të ri, për veçanti të stilit dhe këndvështrimin origjinal në trajtimin e realitetit./KultPlus.com

Të ngjajshme