Shpallen fituesit e Festivalit të 55-të të Teatrove në Ferizaj

8 Shtator, 2025 - 3:00 pm

Me një ceremoni solemne u përmbyll edicioni i 55-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, që edhe këtë vit solli në skenë prodhime të fuqishme teatrore dhe interpretime të shkëlqyera.

Çmimi për shfaqjen më të mirë i këtij edicioni shkoi për shfaqjen “Djali”, e realizuar nga Organizata “Anamour”, duke u vlerësuar si produksioni më i kompletuar artistikisht në këtë edicion. Çmimi “Yll në Ardhje” iu dha aktorit të ri Yzeir Meha, për rolin në shfaqjen “Djali”, duke u vlerësuar si një prej talenteve më premtues të këtij edicioni.

Çmimi për regjinë më të mirë u fitua nga Sulejman Rushiti për shfaqjen “13”, ndërsa kjo shfaqje fitoi gjithashtu edhe çmimin e publikut, si dhe u nderua me çmimin për skenografinë më të mirë, të realizuar nga Bekim Korça.

Në kategoritë e aktrimit, Avni Shkodra fitoi çmimin “Ismail Rama” për aktorin më të mirë për rolin e tij në shfaqjen “God Bless America”, kurse Donika Zeqiri u vlerësua me çmimin “Adriana” për aktoren më të mirë për interpretimin në shfaqjen “13”.

Çmimet për aktorët në role dytësore u ndanë për Kushtrim Qerimin (shfaqja “God Bless America”) dhe Hajat Toçillën (shfaqja “Komedi e Zezë”), ndërsa Aurita Agushi u shpall fituese e çmimit për rolin episodik më të mirë, po ashtu për shfaqjen “God Bless America”.

Në fushën e dizajnit skenik, Njomza Luci mori çmimin për Kostumografinë më të Mirë për punën e saj në shfaqjen “Prishtina. Vrasja e Paralajmëruar e një Ëndrre”, e cila u nderua gjithashtu edhe me një çmim special nga juria./KultPlus.com

Të ngjajshme