Shpend Ahmeti tregon për masat e reja kundër koronavirusit

11 Mars, 2020 - 3:36 pm

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar për masat e reja që do të ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Një ditë më parë, ai njoftoi se do të mbyllet përkohësisht qendrat e qëndrimit ditor të të moshuarve në kryeqytet.

Ahmeti ka shkruar në Facebook se në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Komuna e Prishtinës do të vazhdojë masat parandaluese specifike kundër virusit Covid-19.

“Gjatë vikendit do të dezinfektohen më detajisht hapësirat e ndërtesave të Komunës së Prishtinës ku ka sportele dhe shumë punë me palë. Që nga nesër të gjithë punëtorët e sporteleve të Komunës së Prishtinës do të pajisen me maska, dorëza dhe dezinfektues. Që nga nesër shkollat dhe çerdhet furnizohen me material higjienik shtesë sipas nevojës deri në një vendim të radhës për çerdhet dhe shkollat”, ka shkruar Ahmeti.

Si masa tjera mbrojtëse, Ahmeti ka përmendur se do të pezullohen lejet për tubimet publike nëpër sheshet e Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës pezullon lejet për tubimet dhe evenimentet publike (promovime, tubime ne sheshe) ku pritet pjesëmarrja e më shumë se 50 personave. Këtu përfshihen aktivitetet që kërkojnë leje nga Komuna për të zhvilluar aktivitetin. Po ashtu njoftoheni se pezullohen takimet me palë në drejtoritë e urbanizmit dhe investimeve kapitale që nuk janë me urgjencë”, ka theksuar Ahmeti, derisa ka bërë të ditur se Komuna vazhdon me ofrimin e të gjitha shërbimeve.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës tashmë ka mbyllur përkohësisht qendrat e qëndrimit të të moshuarve, si masë parandaluese për përhapje të koronavirusit.

Po ashtu, ai ka theksuar se autobusët e Trafikut Urban do të dezinfektohen çdo ditë, duke filluar nga e mërkura. / KultPlus.com

Të ngjajshme