Shpresë për Bejrutin, Gjermania ofron plan miliardësh për rindërtim

2 Prill, 2021 - 3:50 pm

Javën e ardhshme, Gjermania do t’ua paraqesë autoriteteve libaneze një propozim shumëmiliardësh për rindërtimin e Portit të Bejrutit si pjesë e përpjekjeve për t’i nxitur politikanët e shtetit të vogël aziatik për të formuar një qeveri të re që është e aftë ta shmangë kolapsin financiar, i thanë dy burime agjencisë Reuters.

Rreth 200 persona mbetën të vdekur nga një shpërthim i fuqishëm i substancave kimike në Bejrut në gusht të vitit të kaluar, ndërsa mijëra të tjerë u lënduan e lagje të tëra u shkatërruan. Kjo fatkeqësi vetëm e përkeqësoi gjendjen edhe ashtu të rëndë politike dhe ekonomike në Liban, duke e futur shtetin në krizën më të rëndë që nga lufta civile e viteve 1975-1990.

Sipas dy burimeve me njohuri rreth këtyre planeve, Gjermania dhe Franca po garojnë për t’i udhëhequr përpjekjet për rindërtim. Më 7 prill, Berlini do ta paraqesë planin e vet, i cili, sipas diplomatëve, në parim do ta përfshijë edhe përkrahjen nga Banka Evropiane për Investime për ta ndihmuar financimin e pastrimit të zonës së prekur nga shpërthimi dhe rindërtimin e objekteve.

Një zëdhënës i Bankës Evropiane për Investime tha se banka është e vetëdijshme për propozimin që është çuar përpara nga autoritetet e Portit të Hamburgut dhe ekipit këshillues të tij për rindërtimin e Portit të Bejrutit dhe zonave përreth tij, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Banka qëndron e gatshme për të përkrahur popullin libanez dhe përpjekjet për rindërtim bashkë me partnerët e saj, komunitetin ndërkombëtar dhe të gjitha palët”, shtoi zëdhënësi. / KultPlus.com

Të ngjajshme