Shqipëri-Maqedoni e Veriut, shkëmbim të dokumentacionit arkivor për Nënë Terezën

9 Shtator, 2020 - 4:18 pm

Arkivi Qendror Shtetëror dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut do të shkëmbejë kopje të dokumentacionit arkivor të materialeve që bëjnë pjesë në fondin e Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezën.

Në një njoftim për shtyp Arkivi Qendror Shtetëror thekson se “me rastin e përkujtimeve të 110-vjetorit të lindjes dhe 4-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Departamenti për hulumtimin e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut pranë ITSHKSH-së në Maqedoninë në Veriut dhe Arkivit Qendror Shtetëror, do të bëjnë shkëmbimin e ndërsjellë të kopjeve të dokumentacionit arkivor që ruhet aktualisht në këto dy arkiva respektive të materialeve që bëjnë pjesë në fondin e Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës). Kjo procedurë do të realizohet në formate të ndryshme të kopjeve”.

“Ky shkëmbim dokumentacioni do të bëhet për të pasuruar fondet e arkivave dhe për t’u mundësuar qytetarëve të të dy vendeve të kenë akses të plotë në fondin e njësuar të Nënë Terezës”, – thekson Arkivi Qendror Shtetëror.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë vijon të ketë bashkëpunim reciprok me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, në fusha të përbashkëta të ruajtjes së trashëgimisë tonë kulturore.  atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme