8 Maj, 2025 - 5:47 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka njoftuar se Shqipëria është bërë pjesë e Bienales së 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, një nga ngjarjet më prestigjioze në fushën e artit dhe arkitekturës botërore.
Pavijoni shqiptar, i cili u përurua zyrtarisht në prani të kuratorit të këtij edicioni Carlo Ratti, vjen këtë vit me temën “Building Architecture Culture”, një koncept që trajton arkitekturën si mjet për dialog shoqëror, përfshirje dhe transformim.
Pavijoni është kuruar nga Anneke Abhelakh, ndërsa projekti është drejtuar nga Alessandra Biscaro, me kontribute nga një ekip ndërkombëtar dhe shqiptar në fushën e dizajnit, kurimit dhe komunikimit. Një nga momentet më të veçanta të përurimit ishte prania e emrave të mëdhenj të arkitekturës botërore si Bjarke Ingels dhe Winy Maas, të cilët dëshmuan vëmendjen në rritje që po i kushtohet Shqipërisë në arenën globale.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë bienale është përtej një prezence simbolike – ajo përfaqëson një qasje të re, ku arkitektura shihet si instrument për zhvillim ekonomik, ndërtim identiteti, inovacion urban dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Pavijoni shqiptar do të jetë i hapur për publikun nga data 10 maj deri më 23 nëntor 2025./KultPlus.com