Shqipëria madhështore, me një këmbë në Evropianin e dytë

12 Tetor, 2023 - 10:49 pm

Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke dhe tani me një këmbë është në Kampionatin Evropianin e dytë në histori.

Kombëtarja shqiptare shkëlqeu në të gjitha aspektet dhe në fund me meritë mori një fitore të pastër. Ndeshja e zhvilluar në “Air Albania” u mbyll me rezultatin 3:0, shkruan Gazeta Express.

Të përzgjedhurit e Sylvinhos e nisën mirë përballjen, me lojtarin më në formë, Jasir Asani, që la gjurmë me një tjetër gol të bukur dhe në stilin e tij, për epërsinë e parë në minutën e 9-të. Asistues ishte Ylber Ramadani.

Për “Kuqezinjtë” u lehtësuan gjërat në minutën e 40-të, kur Mojmir Chytil u përjashtua nga ndeshja. Ai mori kartonin e dytë të verdhë për shkak të lojës me dorë, kur edhe shënoi gol për çekët.

Shqipëria e nisi mirë edhe pjesën e dytë, e cila ishte e rezervuar për Taulant Seferin.

Sulmuesi nga Kumanova shënoi dy gola. Ai fillimisht dyfishoi epërsinë në minutën e 51-të, pasi u asistua nga Sokol Cikalleshi.

Seferi vulosi fitoren e Shqipërisë me golin e shënuar në minutën e 73-të, pasi mori një asistim të mrekullueshëm nga Mirlind Daku.

Arbnor Muja ia doli të gjej golin e parë me fanellën kuqezi në minutën e 82-të, por fatkeqësisht goli i tij u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje.

Shqipëria pas kësaj fitore ka 13 pikë dhe vazhdon kryesimin në Grupin E.

Çekia është e dyta me 9 pikë dhe me një ndeshje më pak.

Kombëtarja shqiptare më 17 tetor do të zhvillojë miqësoren me Bullgarinë, për t’u rikthyer në nëntor me ndeshjet e radhës të këtij cikli kualifikues.

Më 17 nëntor, Shqipëria do të luajë në udhëtim ndaj Moldavisë, kurse më 20 nëntor do të jetë nikoqire e Ishujve Faroe.

Të ngjajshme