2 Maj, 2025 - 11:30 am
Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, sipas raportit të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij (RSF).
Vendi renditet i 80-ti në botë, nga 180 shtete të vlerësuara, duke u ngjitur me 19 pozicione krahasuar me vitin 2024.
Në nivel rajonal, Shqipëria pozicionohet e treta për lirinë e medias, pas Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, duke lënë pas një vend të Bashkimit Evropian si Greqia.
Sipas raportit, një lajm pozitiv është se në Shqipëri nuk është raportuar asnjë rast i gazetarëve të vrarë apo të burgosur gjatë vitit të fundit.
Megjithatë, RSF evidenton se sfidat mbeten të pranishme, veçanërisht në lidhje me konfliktin e interesit dhe pavarësinë ekonomike të mediave. “Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga lidhjet e ngushta midis botës së biznesit dhe politikës. Gazetarët përballen me frikësime nga politikanët dhe krimi i organizuar”, thekson raporti.
Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria ka performuar mirë në indikatorë si siguria, aspektet ligjore dhe ato sociale, ndërsa ka rezultuar dobët në treguesit politikë dhe ekonomikë, çka pasqyron ndikimin e fortë të politikës dhe interesave biznesore në funksionimin e mediave.
Për krahasim, Kosova dhe Serbia janë renditur më poshtë në indeksin rajonal, përkatësisht në vendin e 99-të dhe të 96-të në botë.
Pjesë nga raporti
“Gazetarët përballen me presion politik, veçanërisht gjatë zgjedhjeve. Politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale duke politizuar rregullatorët e medias dhe duke emëruar ata që janë përgjegjës për median publike. Gazetarët kritikë ndaj autoriteteve shpesh i nënshtrohen sulmeve të dizajnuara për t’i diskredituar ata si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, dhe ata kanë vështirësi në marrjen e informacionit shtetëror, qasja në të cilin mund të jetë edhe më e kufizuar nga një centralizim i kohëve të fundit i komunikimeve qeveritare”.
Korniza ligjore
“Edhe pse kushtetuta e Shqipërisë dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme. Si rezultat i vendimeve gjyqësore kontraverse, mediave iu ndalua të mbulonin çështje të ndjeshme me interes publik”.
Konteksti sociokulturor
“Gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin janë veçanërisht objektiva të kërcënimeve. Gazetaret gra, të cilat përbëjnë shumicën e profesionit, përballen me ngacmime online dhe në disa raste me diskriminim gjinor brenda organizatave të lajmeve, megjithëse ka pasur përparim në këtë fushë. Autocensura është e përhapur, por megjithatë mediat kanë krijuar një platformë për vetërregullim etik, të parin e këtij lloji në Shqipëri”, thuhet në raport.
Rajoni dhe bota
Në rajonin e Ballkanit, raporti vëren një rënie të përgjithshme të lirisë së shtypit. Mali i Zi mban vendin më të lartë në rajon, në pozicionin e 37-të, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Serbia. Kosova ka shënuar gjithashtu rënie në renditje, duke u pozicionuar në vendin e 99-të.
Në përfundim, RSF nënvizon se presioni ekonomik, i lidhur me përqendrimin e pronësisë, varësinë nga reklamuesit dhe mungesën e mbështetjes publike transparente, është një nga faktorët kryesorë që po e minojnë lirinë e medias. “Pa pavarësi ekonomike nuk mund të ketë shtyp të lirë”, thuhet në raport.
Në nivel global, raporti për vitin 2025 kryesohet nga Norvegjia, e ndjekur nga Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda. Ndër vendet që kanë pësuar rënie të lehtë janë Shtetet e Bashkuara, që kanë zbritur nga vendi i 55-të në të 57-in, dhe Italia, nga vendi i 46-të në të 49-in.
Eritrea mbyll listën e renditjes botërore, ndërsa Kina dhe Koreja e Veriut pozicionohen menjëherë më sipër, duke përbërë tre vendet me lirinë më të kufizuar të medias./ KultPlus.com