Shqiptari, menaxher i një restoranti në Gjermani, shpërndan ushqim falas për stafin shëndetësor

1 Prill, 2020 - 12:15 pm

Menaxheri i një restoranti në Gjermani, Bedri Idrizi, ka shpërndarë ushqim falas për stafin e shërbimeve shëndetësore, në shenjë falenderimi për kontributin e tyre për të ndihmuar pacientët e infektuar me Covid-19. Gjithashtu, Bedriu, së bashku me stafin e tij, po ndihmojnë dhe grupe të moshuarish, duke u dërguar ilaçe dhe ushqime, transmeton albinfo.ch.

Ky restorant quhet “Dolce Vita” dhe është në Schwedt Oder të Gjermanisë, menaxhohet nga Bedri Idrizi nga Sllatina e Tetovës, ka shpërndarë ushqim falas për 12 reparte të spitalit të qytetit, për njësitë zjarrfikëse, ndihmën e shpejtë dhe njësitë e tjera të ambulancës, në shenjë solidarizimi me përpjekjet humane të atyre që bëjnë gjithçka për ta ndihmuar popullatën në kohën e pandemisë së virusit korona.

Solidarizimi i restorantit “Dolce Vita” ka zgjuar respektin e autoriteteve komunale, të shërbimeve mjekësore dhe të banorëve të Schwedt Oder, një qytezë industriale në Gjermani, me 30 mijë banorë, shkruan tetova1.

Po ashtu stafi mjekësor e kanë falënderuar publikisht stafin e restorantit dhe i kanë shprehur mirënjohjen nëpërmjet rrjeteve sociale.

Restoranti u ka dalë në ndihmë edhe pleqve, duke u dërguar ushqim dhe ilaçe në shtëpi pa asnjë fitim.

Gjithashtu, stafi i restorantit ka shpërndarë një afishe, ku u bën thirrje pleqve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, të mos e rrezikojnë shëndetin, ndërkohë që ilaçet dhe ushqimi atyre u dërgohet nga ekipi i restorantit deri në shtëpi dhe pa asnjë fitim.

“Të dashur gjyshe e gjyshër, ju rini në shtëpi dhe na dërgoni porositë për barna e ushqim, kurse ne ua blejmë dhe ua sjellim në shtëpi”, thuhet në afishen e shpërndarë.

Menaxheri i restorantit, Bedri Idrizi, njihet edhe për nisma të tjera humanitare jo vetëm për vendësit, por edhe për komunitetin gjerman. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme