SHSTKK: Gati rregullorja për mënyrën e ndarjes së roleve për aktorët e teatrit

14 Maj, 2021 - 4:25 pm

Ditë më parë është bërë e ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar Teatrin Kombëtar të Kosovës që të zbatojë vendimin e Inspektoriatit të Punës të vitit 2019, ku sipas të cilit, i kërkohet Teatrit Kombëtar që çështjen e ndarjes së roleve për shfaqjet e tija ta rregullojë me një rregullore të brendshme, përcjell KultPlus.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është si në vijim;

Në përgjigje të kërkesë së SHSTKK-së, Gjykata Themelore në Prishtinës-Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, aprovoi kërkesën e SHSTKK-së dhe caktoi masën përmbarimore ndaj Teatrit Kombëtar.“TKK-ja obligohet që çështjen e ndarjes së roleve ta rregullojë me rregullore të brendshme ose në formë amandamentimi ta plotësojë rregulloren ekzistuese, në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi. Ky aktvendim ka efekt sekuestrimi dhe nëse nuk veprohet sipas këtij aktvendimi, do të aplikohen dispozitat e neneve 15 dhe 16 të LPP-së”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kurse pas këtij vendimi ka reaguar Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës të cilët kanë shkruar se i gëzohen këtij aktvendimi. Sipas tyre një rregullore e tillë do të ia kufizoj menaxhmentit mundësinë e ndërhyrjes tek regjisorët në imponimin e ekipeve të aktorëve në shfaqje.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e tyre të plotë:

Gati rregullorja, për mënyrën e ndarjes së roleve për aktorët e Trupës Rezidente dhe aktorët e jashtëm.

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, njofton të gjithë komunitetin artistik se pas shqetësimeve të akumuluara në vazhdimësi nga akorët për çështjen e ndarjes së roleve më të njofshëm, i gëzohet aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ,  me anë të të cilit Teatri Kombëtar i Kosovës urdhërohet ta miratoi rregulloren për mënyrën e ndarjes se roleve, për aktorët e brendshëm dhe ata të jashtëm. Pas ndërhyrjeve sistematike të menaxhmentit tek regjisorët, në çështjen e ndarjes se roleve si dhe papërgjegjësisë së regjisorëve në kompletimin e ekipeve kreative të shfaqjeve, miratimi i rregullores se sipërpërmendur, tani më do të jetë një fakt i kryer.

Në mungesë të një rregulloreje të tillë, shkalla e keqpërdorimit dhe manipulimit në ndarjen e roleve ka arritur deri aty, sa janë qerasur më role shokët, dashnorët, familjarët e menaxhmentit dhe regjisorëve, janë paguar e shlyer borxhe, deri tek qerasja me role për vetën (për këtë të fundit, kemi dy raste të vërtetuara edhe nga Agjencia Kundër Korrupcion).

Keqpërdorimi në ndarjen e roleve, ka qenë evident në vazhdimësi në këtë teatër, por se viteve të fundit është shndërruar në rregull, prandaj ka lindur nevoja e domosdoshme për miratimin e një akti të tillë normativ, që e rregullon këtë procedurë.

Rregullorja si e tillë, nëpërmjet mekanizmave të saj sanksionues, do të ia kufizoi menaxhmentit mundësinë e ndërhyrjes tek regjisorët në imponimin e ekipeve aktoriale të shfaqjeve, si dhe kufizon vet regjisoret të angazhojnë aktorë bazuar në interesa private, në dëm të interesit artistik. Përkundrazi ky akt kaq i nevojshëm normativ, ju jep liri të plotë artistike regjisorëve, që të pa ndikuar nga menaxhmenti dhe nga interesat e tyre meskine, të përcaktojnë ekipet aktoriale në shfaqjet ku ata bëjnë regjinë.

Ky Aktvendim Përmbarimor nga Gjykata, është lajm i mirë për të gjithë komunitetin e aktorëve dhe artistëve skenik, por është lajm i “rënd” për të gjithë ata që e kanë shndërruar në pazar çështjen e ndarjes së roleve, duke e dëmtuar në vijimësi artistikisht dhe financiarisht Teatrin Kombëtar.

SHSTKK:/ KultPlus.com

Të ngjajshme