“Shteti që burgos poetët, lufton lirinë!”

16 Gusht, 2021 - 3:15 pm

Shkruan Jusuf Buxhovi

Diktaturat, tiranitë, pafuqinë e tyre përherë e kanë treguar në luftë kundër mendimit të lirë. Shkrimtarët, jo rastësisht janë gjendur në shenjestër të ndjekjeve, përsekutimeve, linçimeve e madje edhe vrasjeve, që të pengohet fjala e lirë, mendimi i lirë dhe, sidomos, gjuha e metaforave dhe e ironisë, që është mjet i krijuesit…

Historia e njerëzit ngahera është me plot e përplot viktima të diktatorëve, tiranëve dhe inkvizitorëve të fjalës së lirë  dhe të mendimit ndryshe… 

Ndër ne, këto ditë,  u përkujtua edhe viktima e fundit e regjimit komunsit, varja e poetit kuksjan Havzi Nela në gusht të vitit 1988 pse kishte ironizue me diktaturën.

Se mbetjet e mentaliteteve të  diktaturave dhe metodat e tyre, nuk i ka larguar as demokracia dhe pluralizmi, se edhe më tutje gjyqësori  keqpërdorët nga “policia politike”, që si duket edhe më tutje funksionon në kuadër të sistemit, këtë e tregoi burgosja e padjeshme e një poeti nën akuzën e “përhapjes së urrejtjes  dhe përçarjes”, ndonëse ai përdori gjuhën e ironisë si shprehje!

Kështu, prokurorët tanë, që kanë heshtë dhe heshtin para shumë e shumë krimeve të rënda nga të gjitha anët që i janë bërë vendit në mënyrë të organizuar  e të hapur edhe me ndihmën e institucioneve të shtetit, kanë gjetë  si kurban një  poet të panjohur  dhe disa vargje ironike për të dëshmuar “fuqinë e ligjit”!

Burgosja e poetit, pa marrë parasysh metaforat që përdori ai dhe pa marrë parasysh si tingëllojnë ato për realitetin tonë të stërmbushur me probleme të shumta të shkaktuara nga politika ditore,është ogur i zi për shoqërinë tonë! Ndërsa, heshtja ose anashkalimi i këtij rasti nga krijues dhe intelektualë, do të thotë pajtim me reinkarnimin e “cenzorëve dhe cenzurave”dhe të pushtetit të tyre të njohur nga koha e ideologjisë totalitare dhe të regjimeve obskurantiste, do të thotë humbje  e mendimit të lirë dhe lirisë së shpreshjes, dorëzim para çfarëdo prirje që i shkon për shtati   diktaturës  dhe tiranisë!…/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme