Si po u nxjerrin ‘telashe” emrat kosovarëve në Zvicër ?!

2 Shkurt, 2021 - 9:58 am

Kush preferohet në tregun e punës? Nëse dosjet për aplikim në një vend pune janë identike, ai që preferohet është aplikanti me emër zviceran, shkruan gazeta NZZ am Sonntag në një artikull të zgjeruar.

“Përparim Avdili e di nga përvoja personale se çfarë handikapi mund të jetë emri që tingëllon si i huaj, kur kërkon punë. “Në rininë time ekzistonte një shoqëri me dy nivele: nxënësit me pasaportë zvicerane fitonin më lehtë vendin në shkollën profesionale (praktikën) – pavarësisht nga notat e tyre. Kjo ishte normale për ne, askush nuk e quante padrejtësi këtë ecuri”.

Ndërkohë, sot, në moshën 33 vjeçare, Avdili angazhohet për mundësi më të barabarta. Në fillim të vitit ai ka prezantiar një iniciativë jopartiake si këshilltar (parlamentar) bashkiak nga FDP në qytetin e Cyrihut: Në atë nismë kërkohet që administrata e qytetit, e cila punëson 28,000 njerëz, të anonimizojë të gjitha aplikimet

Kjo do të thotë: Dosjet e aplikuesve të mos përmbajnë as foto dhe asnjë informacion tjetër në lidhje me emrin, kombësinë, gjininë ose moshën e aplikuesit. Në vend të kësaj, aty do të renditeshin vetëm kualifikimet dhe përvoja. Në SHBA dhe Kanada, aplikacione të tilla anonime ka vite që janë bërë standarde.

Të huajt “bien poshtë” në fazën e parë, atë të përzgjedhjes

Edhe studimet shkencore kanë treguar se njerëzit me sfond migrimi janë ende në disavantazh kur aplikojnë për punë, shpjegon Avdili synimin e tij.

“Të huajt rrallë kanë shansin të bëjnë prezantimin personal (intervistën) për  vendin e synuar të punës. Sepse ata bien poshtë më shpesh në procesin e përzgjedhjes”.

Në shumicën e rasteve, ky disavantazh ndodh në mënyrë të pavetëdijshme, thekson Avdili: “Kur vjen puna tek biseda personale (intervista për punësim), origjina është fare pak e mundur të luajë rol vendimtar”, shton ai.

Avdili e vëren këtë edhe në rastin e tij: “Edhe pse jam plotësisht i integruar këtu, herë pas here dëgjoj vërejtjen me befasi të dikujt se si e flitkam në mënyrë të përsosur gjermanisht zvicerane”, thotë Avdili. Ai ka ardhur me familjen e tij nga Maqedonia në Zvicër si foshnjë dhe tani është drejtues i ekipit në sektorin financiar.

Por, çfarë thotë shkenca rreth diskriminimit ndaj të huajve në tregun e punës?

“Disa studime kanë treguar se të qenët zviceran përmirëson ndjeshëm shanset për të gjetur punë”, shpjegon Michael Siegenthaler nga Qendra për Kërkime Ekonomike (KOF) në ETH Cyrih. Siegenthaler është një nga ekonomistët kryesorë të tregut të punës.

“Arsyeja është që në proceset e aplikimit, rekrutuesit hierarkizohen në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme sipas origjinës. Kështu, origjina e huaj mund të nënkuptojë që dikush nuk merret në konsideratë pavarësisht se ka kualifikime të njëjta ose madje edhe më të mira “.

Sa i përket shkallës së papunësisë, dallimet në mes të kombësive janë të mëdha dhe ato janë rritur më tej me pandeminë.

Aktualisht, 2.5% e zviceranëve janë të regjistruar si të papunë. Ndër të huajt, shkalla e papunüesisë është 6.4%. Për shtetas të disa shteve të caktuara përqindja është edhe më e lartë: Në rastin e polakëve, për shembull, papunësia është rritur nga 5.0% , sa ishte para pandemisë, në 9.6%.

Fakti që të huajt më shpesh nuk kanë punë nuk ka të bëjë gjithmonë me diskriminimin. Kjo ndodhë gjithashtu eshe për faktin se ata kanë kualifikime më të ulëta.

Disa studime janüe marrë me sqarimin e kësaj dukurie – duke bërë aplikime fiktive. Kjo duket kështu: dosjet identike janë dorëzuar për secilin vend të shpallur pune. Dosjet ndryshonin vetëm për sa i përket kombësisë së kandidatëve. Një ekip nga Universiteti i Neuchâtel-it kohët e fundit ka realizuar një eksperiment të tillë në lidhje me 800 vende të lira pune, në katër profesione.

Me emrat kosovarë, duhen 40% më shumë aplikime për t`u thirrur në intervistë!

Rezultati: Aplikuesit me emër të huaj duhej të bënin mesatarisht 30% më shumë aplikime në mënyrë që të merrnin një ftesë për intervistë. Ndërsa, në rastet kur emri tregonte origjinën kosovare të aplikuesit, duheshin madje edhe 40% më shumë përpjekje.

Megjithatë, ky lloj studimi mundëson vetëm një vlerësim të rasteve individuale të zgjedhura, shpjegon Siegenthaler. Kjo është arsyeja përse ai, së bashku me profesorin e ETH Dominik Hangartner dhe ekonomistin e KOF Daniel Kopp, ka zhvilluar një lloj të ri metode për matjen e diskriminimit. Bëhet fjalë për platformën job-room.ch e cila përmban profilet e 150,000 punëkërkuesve.

Të tre studiuesit tani kanë marrë një pasqyrë të sjelljes reale të mënyrë së kërkimit që praktikojnë specialistët e personelit që përzgjeshinn kandidatët përmes “job-room”. Në këtë mënyrë, ata ishin në gjendje të vlerësonin 450,000 aplikime për punë, në formë të anonimuar.

Në studimin, i cili është botuar javën e kaluar në revistën e njohur të specializuar “Natyra”, ata kanë ardhur në këtë përfundim: Kur profilet e aplikuesve kanë të njëjtin nivel, kandidatët me origjinë të huaj marrin 6.5% më pak kërkesa për intervistë pune.

Ndërkaq nëse personi vjen nga Ballkani, Afrika ose Azia, probabiliteti i një interviste bie deri në 19%.

“Sa më e madhe të jetë distanca kulturore midis një grupi të huaj dhe zviceranëve, aq më të vogla janë shanset në tregun e punës”, thotë Michael Siegenthaler duke përmbledhur rezultatin e studimit.

Diskriminim i të huajve edhe në varësi të orës së ditës kur bëhet shikimi i dosjeve!

Shumica e specialistëve të rekrutimit përpiqen të zgjedhin gjithmonë njerëzit më të aftë dhe të mos drejtohen nga paragjykimet.

“Studimi ynë sugjeron që zgjedhja ndikohet në mënyrë të pavetëdijshme edhe nga modelet ose stereotipet”, shpjegon eksperti i tregut të punës.

Ai madhe sqaron se një tregues në këtë pikë është luhatja e diskriminimit në varüesi nga rutina ditore. “Rreth orës së drekës dhe në mbrëmje, kur rekrutuesit kanë më pak kohë  në dispozicion për të analizuar dosjet e kandidatëve, disavantazhi i punëkërkuesve të huaj rritet, përcjell albinfo.ch. Ne e shpjegojmë këtë model me faktin se klishetë e subkoshiencës vijnë në plan të parë sa kohë që bie përqendrimi në punë i rekrutuesve.

Duhet të kontrollohet nëse aplikacionet anonimizuese çojnë në zgjedhje më të mirë të personelit, thotë Siegenthaler. Platformat online të tilla si job-room.ch do të ishin veçanërisht të përshtatshme për ta testuar këtë. “Kjo do të ishte ekonomikisht e dobishme, përcjell albinfo.ch. Kur ka më pak diskriminim, ne mund të përdorim më mirë potencialin ekzistues të fuqisë punëtore”, shprehet ai.

Për një ndërmarrje të vogël, aplikacionet anonime janë më pak të përshtatshme, thotë Përparim Avdili. Por qyteti i Cyrihut, si një punëdhënës i madh publik, duhet të veprojë si një model.

“Në grupin e 30 deri në 39 vjeçarëve në Cyrih, më shumë se gjysma kanë prejardhje të huaj. Nëse i kufizojmë shanset e tyre në tregun e punës, ajo që vuan është shoqëria në tërësi”. /albinfo/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme