“Si ta doni”, vepra e Shekspirit në Teatrin Kombëtar

17 Korrik, 2025 - 4:18 pm

Komedia romantike e William Shakespeare, “Si ta doni”, do të jetë pjesë e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar.

Kjo komedi romantike për dashurinë dhe lirinë, vjen me regji të John Blondell dhe me interpretim nga Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri, Krist Lleshi.

“Si ta doni”, në origjinal “As you like it”, është një komedi baritore nga William Shakespeare që besohet se është shkruar në vitin 1599. Ajo u vu në skenë në Wilton House në 1603. Prej atëherë është adaptuar si pjesë për radio, film dhe muzikal.

“As You Like It” ndjek heroinën e saj Rosalind ndërsa ajo ikën nga persekutimi në oborrin e xhaxhait të saj, e shoqëruar nga kushërira, Celia për të gjetur sigurinë dhe dashurinë, në Pyllin e Ardenit. Në pyll, ata ndeshen me një sërë personazhesh të paharrueshëm, veçanërisht udhëtarin melankolik Jaques, i cili reciton një nga fjalimet më të famshme të shkruara nga Shekspiri, “Gjithë bota është një skenë” dhe ofron një kontrast të mprehtë me personazhet e tjerë në shfaqje, duke vëzhguar dhe diskutuar gjithmonë vështirësitë e jetës në vend./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme