“Sikur të isha djalë”

29 Nëntor, 2020 - 8:25 pm

Suada Qorraj

Historia e jetës time kishte fillu me u shkru shumë kohë para se të lindja unë. Që në ditët e para kur e kishin kuptu se tashmë një jetë e re kishte fillu me u kriju, dëshira e madhe për me e pas një djalë në shtëpi ishte ngjallë edhe një herë. E bashkë me këtë kishte fillu me u shtu edhe presoni që gjithsecili që hynte e dilte në mrena atyne dyrve i bante nanës e babës tem. Kësaj dëshire i kish hi një flakë edhe ma e madhe atëherë kur në mes të muajit qershor m’ kishin vra babën, po fjalët e njerëzve, presioni e kinse kjo dhembshuria e tyre e madhe kishte fillu tre muaj para se me lind unë, se tek atëherë në shpi tem s’ka pas më një varr bosh, e për secilin që ka hy e ka dalë në dyert e asaj shpije tashmë ka pas një arsyetim edhe ma të madh që me ‘uru’ për lindjen e një djali.

“A kishe lindë çikë a? U, çka po më dhimesh. Ishalla të dek se sen s’po të vyn”. Këto janë fjalët që nana jem i kish dëgju veç nëntë ditë pasi kisha lindë unë. 18 nëntor kur linda unë, e një ditë para se me u festu dita e flamurit, pra me 27 nëntor u thanë këto fjalë. Po kujt i interesonte kjo se e rëndësishme për gjithsecilin që kishte ardhë me uru lindjen, ishte fakti që unë nuk isha djalë.

Këto fjalë që fillun kur isha veç 9 ditëshe, s’janë ndalë as sot. Kjo ka qenë përballja e parë me atë realitetin që m’ka pritë për krejt jetën. Nana bile pat fillu me ma tregu këtë histori që prej kur unë as se kam kuptu se çka donin me thanë këto fjalë.

“A ti ke lind masi ka vdek a? Qysh s’ke djal bile? Ta kish pas nona jote një djalë e kish pshtu? Qysh ju a veç tri motra jeni a? Nejse, nejse, edhe ti munesh me ju bo djal.”

Si fëmijë kur i dëgjojsha këto fjalë, unë kam mendu që mundem me u ba djalë. Sa e sa herë i kam thanë nanës “O mam e pse nuk me boni mu djalë masi krejt po më thojnë që ma mirë me kon djalë.”

Krejt m’kanë thanë, e nana asnjihere, bile kur i bajsha këso pytjesh çdo herë është ba nervoz  Si fëmijë krejt ka qenë ma lehtë, se unë naive, a e pafajshme, s’kam kuptu se pse flisnin ashtu.

Ne në atë kohë nuk jetonim në fshat, veç se pothuajse çdo ditë shkonim në bahçen ku gjendej ajo se çka kish mbetë prej shtëpisë t’djegun nga lufta. E në fshat çdo të dytin që kam pa në rrugë m’ka thanë “Ah veç mos të ishe çikë, veç ishalla bohi të hajrit”.

Mbaj mend një herë pata shku në shpi tu kajt edhe i pata thanë nanës “Mam a edhe ti më urren veç pse s’jam djalë?” Nana që kurrë lot në sy si kisha pa, atë ditë e pata ba me kajt. E po në atë ditë kish marrë guximin me më tregu se kush ishte i pari që  në vend të jetës, më uroi vdekjen.

Asnjë s’besonte që nana ka me ja dalë me tre fëmijë, që fëmijë për kërkan s’ishin, se s’kishin epitetin djalë. E për fëmijët s’kishin pikën e dyshimit, që ajo shpi e djegun në fshat ka me qenë fillimi e fundi i tyne.

Është e çuditshme se sa fort ndryshonin ditët e kaluara në shkollë, me ato të kaluara në fshat. Përgëzimet që merrje brenda atyre mureve ishin të largëta me mallkimet që ti bënte fshati. Ama këto dy botë kaq të kundërta mes vete janë bërë përherë bashkë. Se tash çika që veç çikë nuk ish dashtë me qenë kishte fillu me ju dëshmu, që n’jetë ki me mujt me mrri edhe kur s’ke epitetin djalë.

Unë, motrat e mija e nana ani pse tan jetën t’rrethune prej paragjykimeve, i kem thy krejt barrierat që na kanë dal përpara, se asnjë prej nesh nuk ka leju që fjalët e tyne me na mposhtë.

Kur kam qenë në shkollë fillore krejt kanë besu që unë nuk kam me mrri shumë, se ndryshe nga motrat e mija mua më duhej një kohë më e madhe për me i msu gjanat. ‘Të ish kon djalë, bile kish vyft diçka, se qeshtu mezort nuk msohet’, i kanë thanë nanës e mua me mijëra herë. Ama unë përherë kam punu aq fort sa me ju dëshmu të kundërtën.

Në vite e gjinazit unë pata mrri me punu, e me kry shkollën në të njejtën kohë. Refreni “Të ishe kon djalë”, pat fillu me ndru. Tash për njerëzit e njejtë të fshatit isha “çika që nanës ju ka bo sa 7 djem”. Ama unë nuk isha djalë, unë isha veç çika, që nana i kish msu mos me u dorëzu në asnjë çast.

Habinë më të madhe fshati e kish përjetu kur unë pas gjimnazit kisha fillu shkollimin në dy drejtime të ndryshme, krejtësisht të kundërta mes vete. Tash ndaljet në rrugë nuk bëheshin me m’kujtu që ardhja jem n’jetë ka qenë gabim, se pas tragjedisë t’parë unë isha e dyta në familje. Bile ishte hera e parë që n’fshat “sikur t’ishe djalë” nuk u tha më.

Nana ka vite që punon, ani pse për fshatin do të ishte më e pranueshme, që ajo të ulej mes të rrugës e t’lutej për një copë buke. Nana e rrethune prej tragjedisë, asnihere nuk ka leju që tjerët me i ulë çikat e saja. Ajo bile ka vra andrrat e saj, që tonat me i bo realitet.

E madhja prej tre motrave ka mrri që krahas vendit  të vet, shkollën e andrrat me i thur edhe jashtë kufijve. Asaj asnjëherë si kishin uru me qenë djalë. Ama as për të, njëlloj si për mua, s’kishin besu që në jetë ka me mrri diçka.

Edhe çikës të dytë të nanës, nuk i patën uru e se patën mallku me qenë djalë. Edhe ajo ka mrri që me ju qitë poshtë secilën fjalë, e paragjykim që ja kishin ba krejt jetën, se një fëmijë pa babë s’bante me pas jetë.

21 vite më pas unë nuk vdiqa, nuk arrita as gjininë ta ndrroja se kështu ma patën ngulitë në kry. Unë refuzova me ju nënshtru secilit mendim e fjalë që synonte të më zbehte andrrat. E tash pos shkollës unë kam dhe punën. Mbase për fshatin jam ende çika që duhej të ishte djalë, veç jo ma për veten.

Nana, unë e motrat, tu jetu e rritë mes këtyre vështirësive, i dëshmum secilit që kish hy e kish dalë nga shtëpia se nuk të duhen burrat për të ndërtu jetën, se nuk të duhet djali për me ndërtu të ardhmen. Ne të katërta bashkë, i tregum secilit se mjaftoheshim me njëra tjetrën, se dashnia e jeta që kishim ndërtuar së bashku ishte më e fortë e më e madhe se secila fjalë e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme