Sipas mjekut shqiptar në SHBA, mbajtja e maskës për 6 javë mund të zhdukë virusin

14 Tetor, 2020 - 9:58 am

Mjeku shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Skënder Murtezani në një lidhje direkte për një nga mediet tha se, maska është mjeti i vetëm mbrojtës, në një kohë kur ende nuk ka një vaksinë për të luftuar virusin.

Duke sjellë në vëmendje shembullin e Zelandës së Re, profesori i mjekësisë klinike në Cornell bëri apel që “të bëhemi bashkë për 6 javë që të mos lejojmë virusin të shumohet dhe faktikisht do të ishte vdekja e virusit”.

“Që nga fillimi i intervistave të mia, disa e kanë quajtur dhe ekstreme mendimin tim që të përdoren maskat në mënyrë rigoroze. Maskat ishin shpëtimi i vetëm deri sa të vijë vaksina. Po ashtu duke pasur parasysh se asnjë vaksinë nuk është 100 për qind e kurueshme, maska është e vetmja gjë që pengon përhapjen e virusit. Kjo sëmundje përhapet nëpërmjet pështymës, të folurit, kollitjes apo teshtitjes dhe kujdesi i vetëm është maska.

“Maska është shpëtimi i vetëm në këtë moment. Propozova një gjë shumë të thjeshtë. Po të bëhemi bashkë për 6 javë nuk do t’i lejojmë virusit të shumohet dhe faktikisht do të ishte vdekja e virusit por duhet të jemi të një zëri nuk ka vend për politikën, të spekulohet dhe të kapen teorira të ndryshme. Iu them të gjithëve dhe qeverisë të mundohemi dhe të bëhemi bashkë të përdorim maskat për 6 javë. Unë premtoj se do të zhduket”, tha Murtezani.

“Shembulli konkret është Zelanda e Re. Prej 1 majit me masa rigoroze me karantinën në fillim, pastaj maska e domosdoshme dhe distanca u zhduk në Zelandën e Re. Ishte shtet shembull, pse ne të mos jemi. Pse akoma spekulojmë, marrim shembuj nga studime të kota. Të përdorim një maskë, ta përdorim në mënyrë disiplinore, mos ta prekim fytyrën, maskën. Të bëhemi bashkë se për 6 javë, më tepër ndoshta dhe më pak mund ta fitojmë këtë luftë në vendin tonë. Ja ku është Zelanda e re, Kina ku për një muaj e gjysmë e fitoi luftën me koronën”, u shpreh Murtezani/ATSH / KultPlus.com

Të ngjajshme