Solidariteti në hapat tuaj,”Vrapo Baba-dimër” maratona e kauzës madhështore

20 Tetor, 2023 - 9:02 pm

Uranik Emini

“Vrapo Baba-dimër” është një mini-maratone e jashtëzakonshme, ku kostumet e babadimrit bëhen një mjet i fuqishëm për të ndihmuar fëmijët e prekur nga leukimia, shkruan KultPlus.

Ky event është shndërruar nga një nismë e vogël në një event tradicional në Prishtinë.

Edhe këtë vit, “Vrapo Baba-dimër” do të organizohet më 10 Dhjetor, me ç’rast do të mbahet mini-maratona e njohur tanimë.

Organizatori Jusuf Islami, njoftoi për KultPlus se ky edicion i “Vrapo Baba-dimër” do të jetë më i veçanti ndonjëherë.

“Eventin Vrapo Babadimër e kemi organizuar para 8 viteve me 100 pjesëmarrës, ndërkaq gjatë këtij viti pritet të jenë rreth 3 mijë deri 5 mijë persona që do të marrin pjesë. Do të ketë një bashkëpunim më të madh me shkollat, nxënësit, Komitetin Olimpik, klube të ndryshme të sportit, prindër të ndryshëm që më kanë shënuar”, thotë mes të tjerash Islami.

Islami tutje njofton se për këtë event nuk është e caktuar një moshë që determinon pjesëmarrjen, të gjithë janë të ftuar, të gjithë ata që blejnë një kostum të babadimrit.

“Nuk ka moshë që e përcakton pjesëmarrjen. Nuk është e detyrueshme të vraponi patjetër, mundeni të vini dhe vetëm të qëndroni aty i veshur si babadimër, por patjetër duhet ta keni veshjen si babadimër, si kod i veshjes”, shpjegon tutje ai.

Në këtë event të madh, çdo hap që hedhim është një hap drejt shëndetit dhe shpresës për këta fëmijë.

“E kemi mbështetjen nga Komuna e Prishtinës dhe shumë e shumë biznese të tjera. Unë po shpresoj që do të kalojmë shumë mirë në këtë edicion. Vrapimi do të fillojë te “Katedralja” për të vazhduar deri te “Teatri Kombëtar i Kosovës”, ndërkaq do të vazhdojë edhe më tutje si maratonë për të tjerët. Mini-maratona humanitare do t’i ndihmojë fëmijët që janë në repartin e onkologjisë, që janë të prekur me leukimi. Jam shumë i lumtur që kjo kauzë po rritet çdo vit e më shumë, për mua mbetet një prej eventeve më të bukura që e ka Prishtina dhe Kosova”, përfundon Islami.

“Synimi kryesor është që për 10 vjetor të bëjmë të pamundurën në mënyrë që të sigurojmë 10 mijë pjesëmarrës në këtë event.

Mini-maratona do të zhvillohet më 10 dhjetor në Sheshin “Xhorxh Bush”.

Ndërkaq, çdo biznes që dëshiron të marrë pjesë në këtë event mund të shkruaj në organizatën jo-qeveritare “Vrapo Babadimër”. /KultPlus.com

Të ngjajshme