Sonila Salillari: Vështirësitë në emigrim nuk lidhen me faktin që je shqiptar

15 Maj, 2021 - 3:00 pm

Sonila Salillari në këtë qershor mbush plot 22 vjet që jeton në Kanada. Përveç karrierës që ia zë një pjesë të madhe të kohës, asaj i pëlqen të udhëtojë e shijojë natyrën që të ofron Kanadaja. Ajo ka studiuar Inxhinierinë Elektronike në Tiranë dhe Inxhinierinë e Programimit në Toronto, për të filluar karrierën e saj në Menaxhim Projekti, ku prej vitit 2007 ka qenë drejtuese projektesh e licensuar, licensë që i vlen në çdo vend të botës.

Zonja Salillari, nëse mund të na prezentoheni për lexuesit tanë, dhe të na rrëfeni për rrugën e integrimit tuaj në Kanada…

Shumë më njohin si Sonila Qirjaku; në këtë qershor bëj plot 22 vjet që jetoj në Kanada së bashku me bashkëshortin dhe djalin. Përveç karrierës që më zë një pjesë të madhe të kohës, më pëlqen të udhëtoj e shijoj natyrën që të ofron Kanadaja; të gatuaj e përveç recetave tradicionale të provoj dhe shumë të reja; të lexoj si letërsi artistike ashtu dhe libra teknikë; të kuptoj politikat e vendit në të tre nivelet (lokal, provincial, federal) e të ndjek debatet politike; më pëlqen të organizoj aktivitete të ndryshme sociale e të ndaj me miqtë e mikeshat e mia momente të veçanta.
Çdo emigrant shqiptar kudo në botë do t’i pergjigjej kësaj pyetjeje që “rruga e integrimit nuk ka qenë e lehtë”. Ka patur sfidat e veta, por e rëndësishme është si pozicionohesh ndaj tyre e si punon për t’i kapërcyer ato; si t’i i përqasesh të ndryshuarit dhe sa pranon ndryshimin dhe sa i adaptueshem je duke ruajtur identitetin tënd si shqiptar. Të qenurit pozitiv, të punuarit fort, të paturit e një familje që të mbështet në planet tuaja janë disa nga përbërësit e suksesit. Nuk mund të fitosh asnjëherë nëse nuk merr përsipër rrezikun. Kanadaja është një vend i mrekullueshëm për të emigruar, ka shumë për të ofruar, për të ndërtuar jetën dhe karierën. Vlerësimi i aftësive, të qenurit të hapur ndaj kombeve, racave e gjinive të ndryshme, shërbimi mjekësor, sistemi i edukimit, mënyra se si i përafrohen problemeve janë çfarë gjetëm në Kanada. Nëse do kishte një vend ‘perfekt’ për të emigruar unë do ju rekomandoja Kanadanë, pavarësisht se shumë ankohen për motin e ftohtë. Por dhe për këtë ka një ‘kurë’, nëse fillon të merresh me sportet e aktivitet fizike të dimrit, më besoni, i ftohti nuk ndjehet.

Keni studiuar në Tiranë dhe Toronto për inxhinieri elektronike dhe programim. Sa ka ndikuar shkollimi në Kanada në punën tuaj profesionale sot?

Kjo është një nga pyetjet që e marr shumë shpesh. Përgjigja ime është pak e gjatë. M’u desh 5 vjet në Inxhinierinë Elektronike në Tirane të kuptoja se nuk doja të punoja në atë fushë; 1 vit në Inxhinierinë e Programimit në Toronto për të kuptuar se dhe kjo ishte diçka tjetër që nuk doja të bëja dhe 2 vite në Menaxhim Projekti poashtu në Toronto për të gjetur profesionin dhe karrierën që unë doja. Unë jam që prej vitit 2007 drejtuese projektesh e licensuar, licensë që më vlen në çdo vend të botës. Në secilën nga shkollat kam marrë aftësi që më kanë ndihmuar të bëj më mirë atë që bëj sot. Inxhinieria më ndihmoi të kem të menduarin e të punuarin metodik, programimi më ndihmoi të zbërthej problemet në pjesë të vogla e të menaxhueshme, ndërsa menaxhimi i projektit se si të komunikoj e merrem me grupet e ndryshme në projekt. Nga çdo edukim e eksperiencë ti fiton diçka, bëhet pjesë e jotja që me vite vazhdon ta përpunosh derisa bëhet pjesë e rëndësishme e karakterit dhe metodologjisë në punë.


Keni patur pozicione të rëndësishme menaxheriale në karrierë. Cila ka qenë arritja më e madhe profesionale për ju?

Karrierën këtu në Kanada e fillova si Menaxhuese e Projekteve, e shumë shpejt mora rolin e Drejtuesës së Grupit të zbatimit të projekteve, e që nga ajo kohë kam patur gjithmonë role drejtuese në 15 vitet e fundit. Përveç
roleve drejtuese ajo që unë e quaj arritje profesionale është marrja e dijeve dhe aftësive në menaxhimin e pasurive të paluajtshme korporative (“corporate real estate”) me fokus në planifikimin e investimeve kapitale. E ndërsa sot mund ta quaj veten një specialiste në këtë fushë mund të them që nuk kam bërë asnjë orë edukim formal në Inxhinierinë e Ndërtimeve, por kam lexuar e punuar orë pa fund për të transferuar njohuritë e një inxhinierie tek një tjetër. Aftësitë teknike të kombinuara me ato menaxheriale, të qenurit e drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me kolegët e varësit, të qenurit e hapur ndaj ideve dhe ndryshimit, duke i kushtuar rëndësi punës në ekip, të menduarit e vepruarit jo vetëm për sot, por dhe për të ardhmen, kombinimi i të menduarit dhe vepruarit në mënyrë operacionale, taktike dhe strategjike janë disa nga pikat kryesore të suksesit tim sot.


Cili është roli i juaj në kompaninë  CBRE (CB Richard Ellis) si drejtore e saj?

CBRE është një organizatë ndërkombëtare që ka zyra në të gjithë botën, ku e menaxhojnë portofole të pasurive të paluajtshme të korporateve si qeveritare ashtu dhe private. Unë jam drejtuese e një nga portofoleve, që përfshin ndërtesat e qeverise provinciale në Ontario (rreth 5 000 ndërtesa dhe mbi 3.7 milion metër katror sipërfaqe) siç janë gjykatat, zyrat, burgjet, shkollat, qendrat e zjarrëfikësve, zyrat e policisë, laboratoret etj. Drejtoj një grup prej më shumë se 450 vetash përveç kontraktorëve e partnerëve që japin tërë shërbimet këtyre ndërtesave si: shërbimet elektrike dhe menaxhimi i energjisë, mbatjen e te gjitha pajisjeve te ngrohjes e ftohjes, sigurinë e ndërtesave, pastrimin e tyre brenda dhe jashtë, kopshtarinë, prokurimin publik të shërbimeve, zbatimi i projekteve të rinovimeve, shërbimet financiare, etj. Të gjitha shërbimet janë të integruara e raportohen regullisht nëpërmjet analizës së të dhënave duke shfrytëzuar aplikime e teknologji të ndryshme. Dita ime tipike është si një lavjerrës ore që prek të tëra anët e organizatës; më duhet të jem operacionale e strategjike në të njejtën kohë; më duhet të negocioj për rezultatet, cilësinë, buxhetin e kohën si me klientin ashtu dhe me grupin që drejtoj; më duhet të zgjidh konflikte dhe të propozoj zgjidhje; unë jam një drejtuese që përvesh mëngët dhe bëhem një me ekipin që punoj; motoja ime është mbështetja tek ekipi dhe fuqizimi i tij për të arritur rezultate. Nganjëherë më duket vetja si polic trafiku në një kryqëzim shumë të ngarkuar kur puna ime është që trafiku të levizë rrjedhshëm në të gjitha drejtimet.


Jeni ligjëruese e lëndës “Menaxhim Projekti” në College Boreal ne Toronto nga viti 2018. Cila është këshilla që e keni dhënë më së shpeshti për dikë që menaxhon projektin?

Dhënia e mësimit është një nga dashuritë e mia që e kam marrë që në vogëli nga prindërit e mi që kanë qenë të dy mësues. Êshtë një profesion sa i bukur dhe i vështirë për të cilin unë kam shumë respekt. E ndërsa kjo nuk është puna ime kryesore, unë gjithmonë i kthehem mësimdhënies si nëpermjet trajnimeve në korporatë ashtu edhe ligjëratave në kolegj. Në klasat e mia dua shumë ta bëj profesionin e Drejtueses së Projekteve të kapshme e të kuptueshme për të gjithë. Pyetja e parë që i bëj të tërëve është: “A keni organizuar ndonjë festë ditëlindjeje?” apo, “A keni bërë ndonjë projekt rinovimi shtëpie?”. Kush e ka bërë njërën apo tjetrën, apo dhe të dyja tregon se kanë në vetvete elemente të drejtimit të projekteve. Unë besoj se çdokush që ka aftësinë e menaxhimit të mirë të kohës, ka aftësi komunikuese (të dijë të dëgjojë se çfarë i thonë), ka aftësi për të vendosur prioritet e duhura mund të jetë një drejtues projektesh. Edukimi dhe eksperienca të japin mekanizma që ti e bën më mirë e më profesionalisht këtë punë.


Më shumë se një vit ka kaluar kur ju punoni vetëm online. Cilat kanë qenë sfidat fillestare të këtij ndryshimi?

Ky vit ka qenë i veçantë për mua ashtu sikurse ka qenë për të gjithë. Kur drejton një grup të madh e me interesa të ndryshme të duhet të kujdesesh për të tërë njësoj, ndërkohë që gjysma e grupit që unë drejtoj ka punuar e vazhdon të punojë nga shtëpia gjatë periudhes së pandemisë, ndërsa gjysma tjetër duhet të jetë në frontin e punës çdo ditë. Unë së bashku me grupin tim drejtues kemi punuar me orë të zgjatura për t’iu gjendur të dy grupeve pranë e për t’iu përshtatur situatës së re të krijuar. Orë të gjata të mbledhjeve në platformën “Zoom”, puna me grupet që jo vetëm të jenë të pranishëm (virtualisht apo fizikisht) por të jenë sa më efikas duke kapërcyer lodhjen e të qenurit para kamerës tërë kohën, të menduarit e vepruarit jashte kornizes, reagimi i shpejte dhe i sakte ndaj situatave të panjohura, balancimi midis punës e jetës personale, jane disa nga karakteristikat e kësaj periudhe. Kjo situatë na vuri të tërëve në provë e unë mund ta quaj veten me fat që m’u dha mundësia të drejtoj një grup që u bë partneri i vërtetë i Qeverisë së Ontarios gjatë pandemisë për të siguruar vazhdimësinë e punimeve dhe shërbimeve të nevojshme në provincë.


Ju njohim edhe si aktiviste dhe figurë publike në komunitetin shqiptar në Kanada. A mund të na tregoni sa njiheni me komunitetin tonë?

Unë nuk do të besoja se jam një aktiviste ashtu siç do të doja të isha, sepse e di shumë mirë çfarë përkushtimi e pune duhet për të mbështetur komunitetin. Eksperienca ime në Shqipëri për rreth 10 vite para se të vija në Kanada ishte me organizatat jo-qeveritare, fatkeqësisht këtu në Kanada midis edukimit, karrierës dhe familjes unë nuk u përfshiva aq sa do të dëshiroja në komunitet. Megjithatë, mendoj se kam dhënë kontributin tim të thjeshtë duke ndihmuar të rinjte, duke iu dhënë mundësi për të treguar veten në punëra të ndryshme e duke u bërë këshillues (“mentor”) për shumë nga ta. Dhënia e mundësive të shumë të rinjve nga komuniteti që të aplikojnë për vende pune në organizatën kur punoj, të tregojnë veten se sa të zotët janë, të respektohen e nderohen nga kolegët është një nga ato sukseset e vogla që unë ndjehem krenare për ta por dhe për mënyrë si ata prezentojnë komunitetin shqiptar në vendin e punës. Unë mendoj se çdo gjë e vogël ndihmon, fillon me rrethin tënd të ngushtë e fillon dalëngadalë ta zgjerosh atë më shumë. E nëse ky proces vazhdon zinxhir nga ato që ti ke mbështetur, tek ata që ata do mbështesin, rritet e forcohet grupi mbështetës në komunitet.


Para disa javësh ishe paneliste e Shoqatës së Eskelencës Shqiptaro- Kanadeze (Albanian- Canadian Excellence Society- ACE) në një takim virtual për gratë dhe lidershipin. Cila ka qenë ligjërata juaj dhe si u prit ajo?

Unë mora pjesë në të njejtin panel me disa gra e vajza që janë shembull në komunitet e kjo pyetje ndoshta do të ishte më mirë të përgjigjej nga pjesëmarrësit në takim. Unë mendoj që ndava thjesht e sinqerisht me to eksperiencën time e çfarë unë mendoj që mund t’i ndihmonte pjesëmarrësit për të qenë të sukseshem në karrierën e tyre. Takimin e mbylla me këshillën për të gjitha gratë dhe vajzat që të mos t’i thonin “jo” asnjëherë vetes, që të jenë vetvetja, që gjatë kësaj situate pandemie të ishin të përfshira, t’iu dëgjohej zëri i tyre, të ngrinin dorën për të marrë sfida të reja, të komunikonin rregullisht me grupet e ndryshme, të mos pushonin së bëri pyetje e të ofronin ndihmën e tyre. Mund të duken shumë, por nuk janë…

Përmendët më herët që keni një djalë. Çfarë do t’i këshilloje nënave të reja që duan të ndërtojnë familjen dhe karrierën?

Për çdo njeri familja e karriera janë dy pjesë së të tërës dhe gjetja e balancës të drejtë midis të dyjave është ‘sekreti’ për shumë gra e vajza. Për mua familja është shumë e rëndësishme dhe e shoh investimin tek ajo si një nga investimet më të rëndësishme që kam bërë në jetë; është një investim që nuk mbaron asnjëherë, i bërë me hapa të vegjël, që ndryshon formë vazhdimisht e ti i sheh rezultatet shumë vite më pas, dhe rezultati nuk varet vetëm nga çfarë ti investon por dhe si perceptohet e merret investimi nga pjesëtarët e familjes, e në rastin tim, im bir. Unë mund ta quaj veten me fat që djali im edhe pse u rrit larg gjyshërve e familjes së ngushtë, mori shumë dashuri e vëmendje, mori modelin se çdo të thotë të jesh një njeri me zemër të madhe, si të kesh integritet e si punohet fort drejt suksesit, ruajti gjuhën shqipe dhe identitetin e tij. Sot ai është një i ri që ka arritur sukseset e veta. Ai është shoku im më i mirë, më dëgjon e debaton idetë e mia dhe më bën që të mendoj më shumë si gjenerata që ai i përket. Po e mbyll me kaq këtë pyetje se si nënë mund të flas me orë të tëra ….


Aktualisht jeni edhe profesoreshë dhe nje nga menaxheret e kompanisë CBRE. Sa është vështirë për një shqiptare t’i realizojë ëndrrat e saj nëpër botë?

Vështirësitë nuk lidhen me faktin që je shqiptar, por vështirësitë vinë me njohjen e gjuhës, të kulturës së vendit dhe të organizatës, të mungesës ëe grupit mbështetës, të mungesës të besimit tek vetja, tek prezantimi që i bën vetes. Të gjitha këto kombinuar me sa i përqëndruar je për të arritur objektivin që i ke vënë vetes, hapat që bën për të shkuar drejt këtij objektivi, si mëson nga gabimet tuaja e si krijon profilin tënd profesional i bëjnë vështirësitë të jenë komplekse. Këshilla ime për të tërë është që të njohin veten, të kuptojnë çfarë kanë e çfarë ju mungon dhe dalëngadalë të punojnë për të arritur aty ku duan. Në Kanada tregu i punës është i ndarë 50/50 midis aftësive teknike dhe aftësive të buta (“soft skills”). Ajo që është e përbashkët nga të gjithë emigrantët është investimi në shtimin e aftësive teknike (emigrantët që vinë në Kanada i kanë këto aftësite teknike) ndërkohë që duhet të përqëndrohen më shumë në aftësitë e buta (“soft skills”) e ato nuk merren vetëm me edukimin, por dhe me përfshirjen aktive në të gjitha drejtimet në jetën e vendit. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme