Sot bëhen katër vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushit

2 Shtator, 2019 - 11:40 am


Sot bëhen katër vite nga vdekja e akademiku dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Pajazit Nushit. Ai kishte ndërruar jetë në moshën 82-82-vjeçare.

Bashkëpunëtor të tij e kanë vlerësuar lartë punën e tij, duke e quajtur “Simbol i dijes dhe paqes” si dhe një numër tjetër epitetesh, shkruan KultPlus.com

I lindur në Gjakovë, më 8 janar 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, prof. dr. Pajazit Nushi, pas mësimit në Shkollën Normale të Gjakovës, i ndoqi mësimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku u diplomua në degën e Psikologjisë më 1955.

Krahas mësimdhënies ka punuar në këto funksione administrative-profesionale: drejtor i Entit Krahinor për Përparimin e Arsimit dhe të Edukimit, ndihmës kryetar i Këshillit Federativ për Arsim e Kulturë të ish- Federatës së Jugosllavisë; nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriu dhe redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë.

Ka mbajtur leksione nga psikologjia e përgjithshme në Universitetin e Tetovës në Maqedoni. Ka qenë anëtar i grupit hulumtues të RSFJ në konceptimin e projektit “Televizioni edukativ” dhe lidhur me këtë ka qenë kryesues i këtij grupi i angazhuar në udhëtimin studimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit maj – qershor 1972. Ka marrë pjesë në konceptimin e shkollës fillore unike për RSFJ-në dhe ka studiuar zhvillimin e arsimit institucional të nivelit fillor në Norvegji.

Akademik, Pajazit Nushi ka qenë pjesë e AKSH-së që nga viti 2000 kur u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e zgjodhi anëtar të rregullt. Ka qenë sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-së në periudhën dhjetor 2008 – 2011.

Këto janë librat e tij që janë botuar ndër vite: “Bazat psikologjike të kulturës së të folurit të nxënësve të shkollës fillore” 1964,”Fjalor i psikologjisë”, “Sistemi i grafisë së tingujve të shqipes dhe vetitë perceptive e përmasat e lexueshmërisë së shkronjave të alfabetit të shqipës”1987, ”Të nxënit e lëndëve mësimore dhe zotërimi i tyre” 1997, ”Orientimi profesional dhe individualiteti psikofiziologjik i zgjedhësit të profesionit 2004, ”Inteligjenca dhe masat e zhvillimit të saj ndër shqiptarët e moshës madhore” 2006, “Çështja shqiptare dhe integrimet politike ekonomike (Kërkimet teorike-empirike)” 2003, “Kujtesa dhe trajtimi i saj në literaturën shqipe nomotike” 2008, “Psikanaliza dhe mendimi psikologjik shqiptar” 2006 dhe “Fjalor shpjegues i psikanalizës” 2010.

Përpos librave për arsim parauniveristar, këto janë tekstet që ai ka shkruar për nivelin universitar: “Psikologjia e përgjithshme – Kaptina të zgjedhura” 1995, “Psikologjia e përgjithshme 1” 2002 dhe “Psikologjia e përgjithshme II – Njeriu dhe personaliteti i tij në psikologji”, 1999.

Akademik Pajazit Nushi, më 23 shtator 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Teksas me vendim të guvernatorit të këtij shteti, ndërsa më 10 tetor 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Nebraska me vendim të guvernatorit të këtij shteti federal amerikan.

Më 2005 u zgjodh anëtar nderi i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Më 14 qershor 2011 është shpallur “Nderi i Qytetit të Gjakovës” me vendim të kryetarit të Komunës së Gjakovës. Në marsin e vitit 2011 u zgjodh këshilltar i lartë shkencor në Institutin e Hulumtimeve të Krimeve të luftës në Kosovë.

Më 1957 u shpall fitues i Çmimit të Dhjetorit – çmimit më të lartë për të arritura arsimore e shkencore në KSAK. Është bartës i disa dekoratave – dekorata e fundit është dekorata e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e akorduar nga presidenti i Republikës së Kosovës në vitin 2001 /KultPlus.com

Të ngjajshme