Sot në Shqipëri shënohet ‘Dita e Verës’

14 Mars, 2022 - 9:00 am

Sot festohet ‘Dita e Verës’, edhe pse nën kushtet e pandemisë. Kur përmendin ‘Dita e verës’ mendja direkt na shkon në Elbasan. Sigurisht që kjo festë është një traditë mbarëkombëtare e cila festohet nga jugu në veri, por “shtëpinë” e saj e ka në qytetin e Elbasanit.

Shqiptarët mbahen si popull që jetojnë e gëzojnë në harmoni me njëri – tjetrin. Kjo gjë dëshmohet që në lashtësi, në kohët kur shqipëtarët ishin paganë. Një nga traditat pagane është edhe “Dita e Verës”, e cila kremtohet më 14 mars. Kjo datë simbolizon për rigjenerimin e natyrës, ardhjen e pranveres, ardhjen e kësaj stine e cila sjell përtëritjen e natyrës, por jo vetëm, sjell edhe përtëritjen shpirtërore.

Në rrethinat e Elbasanit, konkretisht në Çermenikë sipas gojëdhënave u ndërtua një faltore me emrin “Zana e Çermenikës” ose e njohur ndryshe në mitologjinë greke Diana, perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Ishte koha kur nuk ishin krijuar ndasitë fetare dhe shqiptarë, grekë e romakë kremtonin së bashku duke iu falur perendive, luleve, natyrës.

Zanafilla ishte në qytetin e Elbasanit dhe ky qytet e ka ruajtur traditën dhe e feston bindshëm këtë festë, ndryshe nga krahinat e tjera. Por cilat janë ato detaje që simbolizojnë këtë festë?

1. Ballokumet, simboli i embëlsisë, sinonimi i Ditës së verës, një nga gatimet tipike të krahinës së Elbasanit. Bëhet vetëm me 14 mars dhe përbëhet nga katër elementë: miell(misri dhe gruri), gjalpë, vezë(mundësisht fshati) dhe sheqer. Aq e thjeshtë në dukje por me një mund të madh për amvisat pasi procedura e gatimit do kohë që të realizohen ballokumet e duhura.

2. Njerëzit në natën e 13 marsit vendosin në duar verore. Verorja përbëhet nga fije të bardha e fije të kuqe. Ngjyra e bardhë simbolizon dritën, paqen, pastërtinë, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon gjakun, ngrohtësinë, dashurinë. Sipas traditës veroret hiqen dhe vendosen në degën e një peme me ardhjen e dallëndyshes së parë, duke shprehur një dëshirë.

3. Thuhet se në datën 14 mars, pa lindur akoma dielli, duhet të hapim dyert e shtëpisë, në mënyrë që të deportojnë rrezet e para të diellit pranveror që largojnë të keqen dhe mirëpresin të mirën, begatinë. Të moshuarit, sidomos në qytetin e Elbasanit, ende i aplikojnë këto zakone.

4. Ndezja e zjarrit që simbolizon largimin e së keqes dhe pjellorinë e tokës.

Në dy vitet e fundit, ndryshe nga çdo vit tjetër, kjo festë është festuar në kushte pandemie. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme