“Sot nis sprova e re”, Rama apel drejtësisë: Anëtarësimi në BE varet nga puna juaj

20 Korrik, 2022 - 9:13 am

Gjatë fjalës së tij para kryeministrisë ku është ngritur flamuri i BE si simbolikë për nisjen e rrugëtimit evropian një ditë pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kryeministri Edi Rama i ka bërë një apel edhe drejtësisë.

Rama tha se puna e drejtësisë ndikon drejtpërdrejt në anëtarësimin e vendit në BE. Ndaj Rama kërkoi nga drejtësia e re që të jap kontributin e saj në këtë rrugëtim që të mos u mohojë gjeneratës së re të ardhmen evropiane.

“Dua tu them sot edhe përfaqësuesve të drejtësisë se shpejtësia e anëtarësimit në BE do të varet edhe nga puna e tyre. Mos ja mohoni fëmijëve tuaj Shqipërinë evropiane që meritojnë. Për sa kohë që unë jam këtu asnjë nuk do të ketë mburojë politike”, tha Rama.

“Thënë të gjitha këto më lejoni ta mbyll se jam shumë i vetëdijshëm që flamuri që do të ngremë solemnisht, barrën e vendos mbi qeverinë që unë drejtoj, të gjithë kanë kusuret dhe të metat e tyre, prandaj edhe më shumë se të gjithë të tjerët ne mund të jemi edhe problemi edhe zgjidhja. Na takon ne të jemi zgjidhja, pa harruar asnjë ditë se jemi ne që mbetemi problemi.

Shqipëria bëhet, ne shqiptarët e sotëm duhet dhe mund ta bëjmë Shqipërinë. Kjo kohë që na ra për hise mbi dheun tonë na dha një mundësi të artë që të tjerët nuk e patën, rrugëtimin në Bashkimin Evropian. I cili është një rrugëtim drejt lirisë dhe jo robërisë, drejt paqes jo drejt luftës. Ky është rrugëtimi i parë i historisë tonë që të bëjmë shtetin e parë që meritojnë fëmijët tanë.

I falenderoj sot të gjithë Shqiptarët që me besimin e tyre më bënë një pjesë kaq të rëndësishme të këtij udhëtimi. Ju kërkoj ndjesë për gabimet e mia, pasi asnjë prej tyre nuk është një gabim për të përfituar në kurriz të të tjerëve”, tha Rama. /Gazeta Express / KultPlus.com

Të ngjajshme