Sot shënohet 15-vjetori i Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës

22 Korrik, 2025 - 11:56 am

Sot shënohet 15-vjetori i shpalljes së Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, një moment kyç në historinë e shtetësisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar në një postim në Facebook se ky mendim i GjND-së dha dritë për të drejtën e popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje dhe liri. Ai e përshkroi këtë akt si vulosje të ligjshmërisë ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe si dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje, shkruan KultPlus.

Kurti theksoi se Mendimi Këshilldhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke i dhënë shpresë popujve liridashës që drejtësia mund të triumfojë në fund.

Ai nënvizoi gjithashtu se ky vendim do të shërbejë si mësim për gjeneratat e juristëve për parimësinë dhe etikën në interpretimin e vlerave universale dhe si një kujtesë për politikën serbe, e cila me nxitim kërkoi pyetje nga GJND-ja dhe pësoi humbje të madhe politike.

Ky përvjetor rikujton edhe vuajtjet nga kolonizimi, diskriminimi sistematik dhe gjenocidi ndaj popullit shqiptar të Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme