Spanjollët kërkojnë që të shtyhet Olimpiada

17 Mars, 2020 - 9:00 pm

Presidenti i Komitetit Olimpik të Spanjës, Alejandro Blanco ka thënë se ai preferon që të shtyhet Olimpiada që këtë verë duhet të mbahet në Tokio.

Blanco ka arsyetuar mendimin e tij me faktin që sportistët spanjollë nuk po mund të ushtrojnë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lojërat Olimpike Verore duhet të mbahen prej 24 korrikut deri më 9 gusht, ndërsa Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka thënë të martën se është plotësisht i përkushtuar që ngjarja të organizohet dhe se nuk ka nevojë për “ndonjë vendim drastik”.

Por Blanco ka tjetër mendim.

“Lajmet që po marrim çdo ditë janë të papërshtatshme për të gjitha vendet në botë. Për ne gjëja më e rëndësishme është që sportistët tanë nuk po mund të ushtrojnë dhe të përgatiten si duhet për Lojërat Olimpike. Kjo bënë që jo të gjithë të kenë kushte të barabarta. Ne duam që Olimpiada të mbahet, por që të jetë e sigurt. Ne jemi vend i rëndësishëm në botë dhe katër muaj para garës sportistët tanë nuk kanë kushte të barabarta me të tjerët”, ka thënë ai.

Ngjarje kualifikuese olimpike janë pezulluar në gjithë botën për shkak të koronavirusit. Së fundi në gjysmë mbeti një turne kualifikues evropian në boks, ku mori pjesë edhe Kosova.

Edhe në Kosovë ka dilema nëse Lojërat Olimpike do të mbahen sipas planifikimit. Dilema të tilla ka Driton Kuka, trajneri i Kosovës në xhudo. Kuka ka pesë sportistë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike. Ata aktualisht janë në karantinë ku po vazhdojnë stërvitjet për garat që nuk dihet se kur do të vazhdojnë.

Të ngjajshme