29 Qershor, 2025 - 10:37 pm
Bregdeti i Durrësit u kthye sot në një arenë të vërtetë emocionesh, ku mbi 30 sportistë nga Shqipëria dhe rajoni morën pjesë në Kampionatin e Parë Kombëtar të Kitesurf-it.
Plazhi i sektorit Rinia shpërtheu në ngjyra dhe energji, ndërsa qielli u mbush me parashuta shumëngjyrëshe që fluturonin mbi detin e trazuar.
Fation Konçi, president i Federatës Kombëtare të Kitesurf-it, tha se kjo garë përfshin dy disiplina nga shumë të tjera që përfshijnë sportet ujore ekstreme.
“Jemi afro 30 sportistë që do të marrin pjesë sot. Kemi dy disiplina: disiplinën e distancës, pra kemi katër etapa nga pesë kilometra që do të bëhen, në total 20 kilometra që do të zhvillohen dikur te 30 deri në 40 minuta, si dhe disiplinën e kërcimit së larti duke bërë stile,” tha Fation Konçi, President i Federatës Kombëtare të Kitesurf-it.
Ky sport ekstrem, që po njeh gjithnjë e më shumë të apasionuar edhe në vendin tonë, bëri bashkë të rinj që sfiduan jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe natyrën.
“Këtu godet era shumë mirë dhe deti është i cekët. Kjo ligatina na pëlqen sepse na favorizon që të mos ketë dallgë që na bezdisin”.
“E kemi gjetur përmes rrjeteve sociale, kam kontaktuar me çunat, na ka pëlqyer pjesa e adrenalinës, mënyra dhe kemi ardhur këtu për ta mësuar.”
“I lus të gjithë prindërit t’i sjellin fëmijët këtu dhe të ushtrojnë këtë sport, është shumë i mirë dhe i favorshëm”.
Atmosfera në plazh ishte elektrizuese. Muzika ritmike, parashutat shumëngjyrëshe dhe adrenalina ndjehej në çdo cep të bregdetit.
Kjo garë, e para në llojin e saj në Shqipëri, synon të kthehet në një traditë vjetore, duke e promovuar vendin si një destinacion të ri për turizmin aktiv dhe sportet ujore në Mesdhe.