Spiropali përkujton Ndre Mjedën: Vepra e tij, gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar

1 Gusht, 2025 - 7:48 pm

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spirali nderoi sot kujtimin e Dom Ndre Mjedës, i ndarë nga jeta më 1 gusht 1937.

Spiropali e konsideroi Mjedën, si një prej figurave të ndritura të Rilindjes Kombëtare, që i dha kulturës dhe gjuhës shqipe forcë, bukuri, pasuri e dinjitet.

“Vepra e Ndre Mjedës është një gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar, një zë zgjues i ndërgjegjes së shtypur të shqiptarëve, një mbrojtës si rrallëkush i kulturës dhe i gjuhës sonë. Si mësues, poet, përkthyes, klerik dhe atdhetar, me mendje të ndritur e zemër të naltësuar prej idealeve të shqipes, dijes e lirisë, Ndre Mjeda i shërbeu me dashuri kombit dhe kulturës shqiptare”, tha Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Ndre Mjeda ishte anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, në Kongresin e Manastirit, në vitin 1908.

Spiropali tha se trashëgimia e Ndre Mjedës mbetet e gjallë edhe përmes vargjeve të tij plot muzikalitet, elegancë e atdhedashuri, ndërsa ndau një nga poezitë më të njohura të Mjedës, “Gjuha Shqipe”:

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

jan’ të bukra me themel,

por prap’ kjo, si diell pa hije,

për mue t’tanave iu del.

Të ngjajshme