Sporti vazhdon të mbetet si ambasadori më i mirë për Kosovën

31 Dhjetor, 2022 - 10:00 am

Uranik Emini

Sukseset e Kosovës në sport kanë rezultuar që kjo e fundi të ngritet në piedestalet më të larta të botës dhe emri i Kosovës e himni i saj të jehoi edhe në vendet të cilat nuk e kanë njohur vendin më të ri në Evropë, shkruan KultPlus.

Për të shkruar rreth sukseseve të Kosovës në xhudo, ju duhet të bëni kërkime më të mëdha, kjo për faktin se sukseset në këtë sport për Kosovën janë shumë më të mëdha sesa në shumë sporte të tjera.

Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka, shijuan suksese të jashtëzakonshme këtë vit, duke dëshmuar edhe një herë tjetër fuqinë që sporti ka si një ambasador nëpër shtete të ndryshme. Të prirë nga trajnerët Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, xhudistët nga Kosova patën shumë suksese këtë vit.

Distria Krasniqi

Duke filluar nga Grand Prix në Portugali më 28 janar, ku zuri vendin e parë, Distria Krasniqi, shijoi suksese të shumta këtë vit. Fitoi medalje të argjendtë në Grand Slam të Parisit, ndërsa ishte e para në Grand Slamin “Tbilisi”, “XIX Mediterranean Games 2022” dhe “Jerusalem Masters 2022”.

Loriana Kuka & Laura Fazliu

Që të dyja ishin në formën e tyre më të mirë të karrierës. Kuka e cila shijoi suksese në “Sarajeva European Open 2022”, duke fituar vendin e parë dhe “XIX Mediterranean Games 2022”, duke u stolisur edhe një herë tjetër me medaljen e artë. Ndërkaq, Fazliu në kategorinë (-63 kg.) fitoi në përballje me Flavia Favorini për të fituar vendin e parë dhe gjithashtu pati suksese të mëdha edhe në “”XIX Mediterranean Games 2022”.

Granit Xhaka

Granit Xhaka qeshi i fundit në përballjen me Serbinë në Kupën e Botës të mbajtur në Katar këtë vit. Kapiteni i Arsenalit ishte në qendër të një përleshjeje masive mes dy grupeve të lojtarëve pas një përplasjeje me mbrojtësin serb, Nikola Milenkoviç. Milenkoviç po tentonte të mbronte topin për një goditje goli kur u përplas me Xhakën dhe shtyu mesfushorin. Xhaka nuk u ndal dhe dyshja u përball me lojtarët nga të dyja palët duke u përfshirë në një përleshje që gradualisht u kthye në mes të parkut. Të dy lojtarët morën karton të verdhë për problemet e tyre, me Xhakën që duhej të tërhiqej nga skena nga shokët e skuadrës ndërsa tensionet vazhduan të përshkallëzoheshin. Xhaka u kurorëzua si më i miri i ndeshjes, në fitoren 3-2 të Zvicrës ndaj Serbisë. Ai u vlerësua shumë për gjestin e madh që bëri në këtë takim, duke veshur maicën me emrin “Jashari” përpara gjithë stadiumit.

Xherdan Shaqiri

Paraqitjet briliante të Shaqirit në Kupën e Botës, nuk kanë munguar asnjëherë. Në këtë rast, Shaqa ndan një rekord të madh së bashku me dyshen e jashtëzakonshme, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, duke qenë lojtarët e vetëm që kanë shënuar në tre botëroret e fundit. Për shqiptarët ishte gëzim edhe më i madh, për arsye se Shaqiri shënoi në portën e Serbisë, në fitoren 3-2 në Kupën e Botës.

FC Ballkani

Përpos që fituan për herë të parë në historinë e klubit të tyre, trofeun e Superligës së Kosovës, ekipi nga Suhareka shkroi histori edhe për diçka tjetër. Kosova për herë të parë po përfaqësohej në arenën ndërkombëtare nga një klub i Superligës së Kosovës dhe ishte pikërisht Ballkani që e bëri këtë gjë. Ballkani arriti që të fitojë një ndeshje, të barazojë një tjetër dhe të humb katër herë në mungesë të fatit dhe përgatitjeve të duhura për takimet evropiane. Me katër pikë të grumbulluara, historia e shkruar nga Ballkani do të jetë e pranishme çdo herë.

Kosova

Më 24 mars të këtij viti, Kombëtarja e Kosovës shënoi një fitore të madhe në takimin miqësor ndaj Burkina Faso, duke fituar me rezultat 5-0. Viti për Kosovën filloi mbarë. Më pas, në një tjetër takim miqësor, Kosova barazoi 1-1 me kombëtaren e Zvicrës, për të fituar më pas në kuadër të Nations League me rezultat 2-0 ndaj Qipros. Forma e mirë e Kosovës nuk ishte e tillë edhe në takimin me Greqinë, kur humbi 1-0 si mysafire më 5 qershor të vitit 2022. Edhe pse shënoi fitore në takimin me Irlandën e Veriut, 3-2, Kosova humbi edhe një herë tjetër nga Greqia, 2-0, dhe më pas edhe Irlanda e Veriut u hakmarr me rezultat 2-1 për të përfunduar ëndrrën e Kosovës në Nations League. Takimin e fundit në Nations League, Kosova e fitoi 5-1 në takim me Qipron. Ndërkaq, dy takimet e fundit, ai ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe përfunduan me barazim. 2-2 ndaj Armenisë dhe nga një gol shënuan secila kombëtare, Kosova e Ishujt Faroe më 19 nëntor.

Donjeta Sadiku

Boksierja Donjeta Sadiku mori medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Budva, një sukses historik. Ajo gjithashtu siguroi medaljen botërore në Kampionatin Botëror të Boksit, që u mbajt në Stamboll të Turqisë.

Getta Beqa

Getta Beqa fitoi dy medalje ari në Kampionatin Mesdhetar IFBB, Maltë duke siguruar një sukses të madh në arenën ndërkombëtare. /KultPlus.com

Të ngjajshme