31 Korrik, 2025 - 10:00 am
Një akt vandalizmi ka tronditur opinionin publik në Kosovë, pasi statuja e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, e vendosur në qytetin e Prizrenit, është lyer me bojë në përkrenare dhe shpatë.
Ky akt është dënuar ashpër nga Shoqata “Trojet e Arbrit”, e cila ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet e drejtësisë për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve. Deri më tani, nuk është bërë e ditur se kush fshihet pas këtij akti, ndërsa policia nuk ka dhënë ndonjë informacion zyrtar për hetimet.
Shoqata “Trojet e Arbrit” ka paralajmëruar se nëse autoritetet vazhdojnë të heshtin, përplasjet mes forcave atdhetare shqiptare dhe grupeve pansllaviste apo neotomane do të jenë të pashmangshme.
Në reagimin e saj, Shoqata ka bërë thirrje për një demonstratë gjithëpopullore më 28 nëntor 2025 në Prizren, në mbrojtje të identitetit dhe krenarisë kombëtare shqiptare, me moton: “Duam Muranën e Gjergj Kastriotit në Prizren”.
Statuja e Skënderbeut u vendos në qytetin historik më 28 nëntor 2020, në përkujtim të 577-vjetorit të ngritjes së flamurit shqiptar në Krujë dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të shumta nga qytetarë, historianë dhe figura publike, të cilët kërkojnë ruajtjen e simboleve kombëtare dhe vlerave historike shqiptare./KultPlus.com